E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati rregullorja e re e Maturës, pritet vetëm firma e Bejës



Rregullorja e re e Maturës Shtetërore 2009 ka përfunduar dhe pritet të firmoset javën që vjen nga ministri i Arsimit, Fatos Beja. Drejtori i Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve (AVA), Edmond Lulja, bën të ditur se rregullorja e Maturës Shtetërore ka pësuar disa ndryshime krahasuar me një vit më parë, duke e bërë procesin më komod për maturantët. Kjo rregullore parashikon të gjitha procedurat që duhet të ndiqen nga maturantët dhe afatet e përgatitjes së udhëzuesit të formularit A1, ku paraqiten të dhënat e kandidatit për student dhe kërkesa e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje. Shtimi i lëndëve me zgjedhje do të jetë një nga risitë e rregullores së re. Matura Shtetërore 2009, e vlefshme për këtë vit shkollor, detajon të gjitha të drejtat dhe detyrimet e maturantëve, procedurat që duhet të ndjekin administratorët e provimeve dhe sanksionet ndaj maturantëve nëse abuzojnë në testim. Gjatë zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore nuk do të lejohet mbajtja e telefonit celular, ndërrimi i vendeve të përcaktuara nga administratori, komunikimi, largimi nga mjedisi i provimit pa realizimin e procesit të sekretimit, etj. Zbatimi i këtyre rregullave do të mbikëqyret nga administratorët e provimeve.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›