E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si vjen pradoksi i leximit



Një qytetari të shekullit tonë nuk duhet t’i shpëtojnë librat më të rinj, të ‘përfolur’ ose shumë të diskutueshëm, që mediat elektronike dhe gazetat i rreshtojnë me shumicë në faqet e tyre. Një propozim i çuditshëm na vjen nga Evropa (a nuk po vdesim të integrohemi atje!), i cili tenton të na ‘prishë’ mendjen duke na thënë: Mirë, atëherë, hiqni dorë nga gjithçka dhe nxitoni të lexoni saktësinë e profesorit të letërsisë në Universitetin e Parisit. Quhet Pierre Bayard, 53 vjeçar, ai që na provokon me librin e titulluar: “Si të flasësh për librat që nuk ke lexuar”. Një libër që ka bërë xhiron e botës për vetëm 6-muaj, një libër që lindi si një dispensë universitare, por që shumë shpejt kapi majat si best seller. Dhe koha, për hir të së vërtetës, vazhdon të jetë ende në favor të autorit.

Milena SELIMI

1.
Unë e di që ju e doni librin. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe. Jetojmë në një qytet, ku referencat intelektuale nisin jo vetëm nga CV-të, por edhe nga filozofët dhe autorët e lexuar.
Nëse provoj të kuptoj se si i përzgjidhni librat, itinerari do të ishte: Keni kaluar kohën përpara tv-së, duke parë titujt më të rinj të librave; keni përzgjedhur me kujdes, falë miqve dhe shokëve, që janë të kësaj fushe, ata më të dëgjuarit. Keni lënë pranë komodinës librin e sapomarrë. Por nuk e keni lexuar asnjëherë. Jeni në rrugë të drejtë. Nuk keni gabuar aspak. Mund të thoni se e keni lexuar, nuk ka asnjë problem.
Një qytetari të shekullit tonë nuk duhet t’i shpëtojnë librat më të rinj, të ‘përfolur’ ose shumë të diskutueshëm, që mediat elektronike dhe gazetat i rreshtojnë me shumicë në faqet e tyre. Një propozim i çuditshëm na vjen nga Evropa (a nuk po vdesim të integrohemi atje!), i cili tenton të na ‘prishë’ mendjen duke na thënë: Mirë, atëherë, hiqni dorë nga gjithçka dhe nxitoni të lexoni saktësinë e profesorit të letërsisë në Universitetin e Parisit. Quhet Pierre Bayard, 53 vjeçar, ai që na provokon me librin e titulluar: “Si të flasësh për librat që nuk ke lexuar”. Një libër që ka bërë xhiron e botës për vetëm 6-muaj, një libër që lindi si një dispensë universitare, por që shumë shpejt kapi majat si best seller. Dhe koha, për hir të së vërtetës, vazhdon të jetë ende në favor të autorit.

2.
Duket se dinaku francez, profesor Bayard, ka prekur kordat e duhura njerëzore: ka mundur të shfajësojë botuesit, që nuk kanë kohë të lexojnë, por u duhet të botojnë. Apo intelektualët modernë që, në një dinamikë të ditë – natës, kanë harruar se duhet edhe të lexojnë që të japin mendime të vlefshme, ndonjëherë edhe për librin.
Ai, me urtësinë e tij akademike, qetëson duke thënë se, që të flasësh për një libër, nuk je i detyruar ta lexosh. E, tekefundit, pse duhet?
Mediat të ndihmojnë mjaft, miqtë e ‘lëçitur’ të kafeneve gjithashtu, botuesit me referenca të shkëlqyera autorësh, që vijnë vetëm nga suksesi. Pierre Bayard na siguron të gjithëve se është shumë interesante të flasësh për një libër të palexuar, madje nëse edhe bashkëbiseduesi është i tillë, diskutimi bëhet gjithnjë e më i zjarrtë.
Bayard, të cilin, ende nuk kemi pasur mundësinë ta lexojmë në shqip, e ndan librin e tij në katër kategori të rëndësishme:
• libra të filluar, por kurrë të lexuar deri në faqen e fundit;
• librat, për të cilat kemi dëgjuar të fliten nga të tjerë;
• ata të lexuar, por të harruar;
• librat, për të cilat s’kemi dëgjuar kurrë të flitet.
Provokimi, që vjen nga një profesor i letërsisë frënge ia vlen të diskutohet. Edhe në Francë e kanë diskutuar gjatë. Polemika ka kapërcyer Evropën, për të mbërritur deri në New York. Por, ashtu sai në Amerikë, të drejtat e botimit janë blerë edhe nga Anglia.

3.
Nëse do të flasim për Shqipërinë, ku kemi me shumicë dhe me tepricë ‘ekspertë’ të librit, që shfaqen pafund nëpër promovime të bukura librash të rinj, ia vlen të përkthehet, mendoj unë.
Mosleximi i një libri të ri nuk është më një lajm i çuditshëm dhe tronditës. Koha na kufizon. Dinamika e jetës së përditshme po na merr frymën. Por ata që kanë marrë këtë detyrë, duhet të flasin, të dalin në ekrane, të shkruajnë në gazeta, të ekzistojnë dhe të shfaqen mediumeve. Atëherë, kur i sheh të njëjtat fytyra dhe mendime filozofike në shumë vende njëherësh, nuk ka sesi të mos gjendesh i rrethuar nga absurdi i mosdijes dhe mosleximit.
Epitetet e pafundmë dhe përcaktimet e autorëve që sapo kanë dalë në treg si shkrimtarë par excelence, të ngjashëm patjetër me përfaqësues të shquar evropianë (mundësisht këtu lista bëhet e gjatë), trondisin jo rrallë herë edhe vetë autorët, që pyesin veten: “Vërtet, ky jam unë dhe kjo është vepra ime?”
Ja përse, nganjëherë, libri më i mirë rezulton ai që, jo vetëm nuk lexohet, por as që ia vlen të lexohet..

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›