E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e BE-së. Romët e Çekisë kërkojnë mbështetje për romët e Shqipërisë

Organizata “Romano Vodi” bën thirrje për nevojën për arsimim të romëve shqiptarë. Mbështetja u dha gjatë publikimit të lajmit mbi një projekt të aplikuar në Krujë

Tiranë - Organizata më e madhe e romëve në Çeki ka shfrytëzuar lajmin mbi zbatimin e një projekti për romët në Shqipëri, për të bërë thirrje që Komuniteti Europian të kushtojë më shumë vëmendje ndaj arsimimit të fëmijëve romë në Shqipëri. Kjo thirrje duket se merr vlerë në kushtet kur janë çekët tashmë që drejtojnë Presidencën e Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria dhe vendet e Ballkanit janë tejet problematike në lidhje me trajtimin e kësaj pakice kombëtare. Nga konstatimi i organizatës çeke rezulton se për romët në Shqipëri ka shumë për t’u bërë, sidomos në lidhje me punësimin dinjitoz të tyre, si dhe me shkollimin e fëmijëve, analfabetizmi i të cilëve është në nivele të papranueshme. Një tjetër problem themelor i këtij komuniteti është mungesa totale e një regjistri civil për ta dhe mosekzistenca e tyre juridikisht në Shqipëri. Për vite me radhë qeveritë kanë premtuar integrim të tyre, megjithatë, gjendja e romëve në vendin tonë është në nivele të pakrahasueshme me vendet perëndimore të Bashkimit Europian.
Integrimi
Romët në Shqipëri janë asistuar këto vite nga disa projekte, kryesisht të huaja, të cilat kanë synuar përmirësimin e rrethanave të jetesës së tyre dhe integrimin shoqëror. Megjithëse në këto projekte janë deklaruar të investuara miliona euro, ende romët nuk kanë kaluar asnjë stad më lart në raport me nivelin e jetesës së tyre apo rrethanat shoqërore. Ata vetë kanë dy shoqata që njihen më shumë publikisht, megjithatë aktiviteti i shoqatave ka ngelur vetëm në fazën e një organizimi spontan të mbështetur herë pas here nga ndonjë financim i huaj, por pa mundur të imponojnë apo të shtrojnë për diskutim me autoritetet shqiptare zbatimin e strategjive dhe masave konkrete për përmirësimin e kushteve të këtij komuniteti. Romët janë të organizuar kryesisht në shoqatat e tyre “Amaro Drom”, themeluar në mars 1991, si dhe “Amaro Divas”. Shoqata “Amaro-Drom” është e përbërë nga një bërthamë qendrore në Tiranë dhe, sipas informacionit nga zyra e tyre në Tiranë, veprimtaritë e tyre mbështeten nga katër qendra koordinuese, kryesisht në Fushë-Krujë, Lushnjë, Fier dhe Korçë. Shoqata ka një gazetë të sajën, që quhet “Ylli i Karvanit” dhe që botohet njëherë në muaj.
Popullsia
Ekzistenca e romëve në Shqipëri është përmendur që në vitin 1635, por duket se për më shumë se 5 shekuj, asnjëherë ata nuk kanë pasur një shifër të saktë të prezencës. Referenca e parë për numrin e romëve daton në vitin 1920. Në atë kohë shqiptarët i kishin diferencuar romët e stabilizuar nga ata shëtitës. Sipas statistikës së botuar nga Qendra Shqiptare e të Drejtave të Njeriut, në vitin 1920 në Shqipëri numëroheshin rreth 20 mijë romë. Por për ta nuk ka një shifër të saktë. Numri tjetër i matur, ose i vlerësuar daton në vitin 1938. Këtë herë janë italianët ata që vlerësojnë se në Shqipëri ka rreth 30 mijë turq e tartarë. Por, dihet botërisht se në Shqipëri nuk janë instaluar asnjëherë kolonë turq, çka bën të mendosh se 30 mijë kolonët ka shumë mundësi të jenë romë. Sipas vlerësimit të Grupit Ndërkombëtarë të të Drejtave të Njeriut, në vitin 1995 në Shqipëri kishte rreth 90-100 mijë romë. Një shifër tjetër vjen nga një universitet prestigjioz. Sipas vlerësimeve të Universitetit të Merylandit, në vitin 1995 në Shqipëri ka pasur rreth 120 mijë romë. Një shifër të përngjashme jep edhe autori i “Atlasit Gjeografik të Shqipërisë”. Sipas tij, në vitin 2006, në Republikën e Shqipërisë kishte rreth 109 mijë romë. Siç shihet shifrat janë të përafërta, rreth 100 mijë romë. Kjo është edhe shifra e fundit që dihet për romët. Sipas botimit, “Minoritetet në Shqipëri”, familjet rome përbëhen nga 7-17 persona. Numri i madh i fëmijëve ka bërë që edhe struktura e kësaj etnie të jetë shumë e re. Më shumë se 1/3 e popullsisë është në moshën 10 vjeç, ndërsa banorët mbi 60 vjeç përbëjnë rreth 3-5 për qind të popullsisë. Sipas studimeve vetëm rreth 7 për qind e romëve kanë arritur të kenë arsim të mesëm ose të lartë. Një vajzë rome, sipas të dhënave martohet në moshën 13-15 vjeç, ndërsa një mashkull martohet në moshën 16-17 vjeç. Nga ana ekonomike, romët janë shtresa më e varfër e vendit.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›