E Diel, 1 Nëntor 2026

Ka diçka që nuk tradhtohet kurrë…



Ndërsa pinim verë e qemë zhytur në trishtimin e tradhtisë si sëmundje njerëzore, pa shpëtim dhe pa derman, një gëzim i beftë e bëri njërin nga miqtë që të briste gati me zë të lartë: “Ka diçka që nuk tradhtohet kurrë.” U bëmë gjithë sy e vesh dhe pritëm të dëgjonim se ç’mund të qe kjo gjë e pavakishme. Gjithsesi, asaj mbrëmje dhe herë të tjera, kur e shpija mendjen aty, arrija vetëm të gjykoja se ajo “besnikëri e përkorë” lidhej ngushtësisht me fëmijërinë dhe besnikërinë ndaj saj. Por nuk dija si, nuk isha në gjendje të kuptoja atë proces shpirtëror apo mendor, a të dyja bashkë, që e bënte të mundur këtë mrekulli njerëzore, e cila mbante aromë përjetësie të vërtetë. Për një gjë isha e sigurt, mbi të gjitha bëhej fjalë për një produkt të lartë shpirtëror, një si besëdhënie supreme, një besim, një fe, një religjion krejt i veçantë...

Mira MEKSI

Në një nga bisedat mbrëmjesore mes miqsh, ku flitej për gjithçka, që nga politika e ditës, librat e rinj, vera, vdekja dhe eklipsi i afërt i hënës, dashuria pasion, e cila ka nevojë për mrekullira dhe për konfirmim të përditshëm që të mbahet gjallë, e për këtë arsye jeton aq pak, miqësia dhe dashuria platonike si pothuaj të vetmet ndjenja me jetë të gjithjetshme, besimi i Borges-it te teologjia si një letërsi fantastike… e gjer te jeta e gjallë, ku njerëzit ndryshojnë përditë; e pra, kur gjithçka po zihej ngoje, një mikesha jonë mori në sy të rrëfente brengën e saj të fundit, e cila, sipas saj, qe nga më të mëdhatë e atyre kohëra, në mos më e madhja fare.
Bëhej fjalë për një ngjarje të ndodhur pak net më parë dhe për të dashurin që ishte edhe miku i saj, ajo i mëshonte shumë kësaj të fundit, miqësisë së kahhershme që i lidhte, e cila në një moment kish kapërcyer përtej dhe që pat qenë fat e dhuratë perëndish, pasi e shijonin mrekullisht… e nisi rrëfimin me fjalët-prelud se pat besuar vërtet te dashuria e tyre dhe se i konsideronte mbrëmjet intime me të (që s’ishin fort të shpeshta e të kollajta për hir të jetës së tyre të komplikuar) akte të shenjta, që nga përgatitja dhe gjer te përjetimi, dhe që tani, brenda brengës, s’ia falte vetes naivitetin foshnjarak që pat rrëfyer… Kish ndodhur që mbrëmjen e planifikuar për të qenë intime, i dashuri qe zhdukur pa njoftuar për asgjë dhe kish ndërprerë çdo komunikim, duke e lënë vajzën vetmitare në shtratin e dashurisë së tyre dhe brenda tmerrit se diçka e rëndë për jetën e tij duhet të kish bërë vaki; dhe ai kish vazhduar të heshtte edhe të nesërmen, me një heshtje vrastare për të dashurën dhe mikeshën që vuante martiren (zëulët mikesha na pohoi se ajo që e kish lebetitur realisht asaj nate të munguar, qe errësira e padijes, frika nga e keqja, dhe aspak pandehma se mund të kish ikur me ndonjë femër tjetër, apo të qe larguar përgjithmonë prej saj), gjer kur u zbulua se kishte qenë mirë e bukur në një udhëtim jashtë qytetit… Gjykimet tona zunë të frushullonin si shigjeta të shkrehura prej harkut :
“Po si? Nuk gjeti dot asnjë mundësi të vogël për të telefonuar?”
“Asnjë mesazh njoftimi nuk dërgoi dot?”
“Të ketë qenë e menduar më përpara, po përse, me ç’qëllim? Jo, po, kjo nuk është as njerëzore!”
“Çfarë cinizmi kozmik! Po miqësia, si u shkel miqësia?! Është tradhti, tradhtar safi!”
“ǒtradhtar? Mjeran, thuaj!”

* * *
Paskëtaj, biseda shenjoi tradhtinë e shumëllojtë, tradhtinë e shumëfaqtë, tradhtinë e rëndomtë, por përherë rrëqethëse, tradhtinë e përhershme dhe universale me të cilën nuk mësohesh dot kurrë, ndonëse është e përditshme, tradhtinë që s’kursen asgjë dhe asnjë, njëlloj si Mortja…
“Vërtet”, u hodh e tha dikush, “ tradhtojmë çdo gjë dhe këdo, gjer mikun e ngushtë, gruan, të dashurën, prindërit, fëmijët… asgjë nuk i shpëton…”
“Sa tradhti ke në gishta? Tradhti me diamant, me gurë smeraldi, tradhti me rubinë… po mbi buzë, ç’ngjyrë tradhtie ke vënë? Këtij lloj kostumi i shkon një tradhti-papijon, është tepër i sojmë..!”
Dhe, ndërsa pinim verë e qemë zhytur në trishtimin e tradhtisë si sëmundje njerëzore, pa shpëtim dhe pa derman, një gëzim i beftë e bëri njërin nga miqtë që të briste gati me zë të lartë:
“Ka diçka që nuk tradhtohet kurr녔 U bëmë gjithë sy e vesh dhe pritëm të dëgjonim se ç’mund të qe kjo gjë e pavakishme? “Skuadra e futbollit që zgjedhim në fëmijëri, s’na la të pyesnim gjatë miku ynë. “Ajo nuk ndryshon kurrë vend në zemrën tonë, çfarëdo që t’i ndodhë, sado humbëse të bëhet… ajo është fitimtarja e dikurshme dhe ashtu mbetet, përherë skuadra jonë. Për të brohorasim, për të lëndohemi, për të luftojmë… Hë, a s’është kështu? Si e shpjegoni ju këtë?”
“Unë, për hesapin tim, nuk di ta shpjegoj, është fenomen mashkullor pothuaj… vetëm e kam zili”, u përgjigja unë.
Gjithsesi, asaj mbrëmje dhe herë të tjera, kur e shpija mendjen aty, arrija vetëm të gjykoja se ajo “besnikëri e përkorë” lidhej ngushtësisht me fëmijërinë dhe besnikërinë ndaj saj. Por nuk dija si, nuk isha në gjendje të kuptoja atë proces shpirtëror apo mendor, a të dyja bashkë, që e bënte të mundur këtë mrekulli njerëzore, e cila mbante aromë përjetësie të vërtetë. Për një gjë isha e sigurt, mbi të gjitha bëhej fjalë për një produkt të lartë shpirtëror... një si besëdhënie supreme, një besim, një fe, një religjion krejt i veçantë...

* * *
Domosdo, nuk qe e lehtë të zhbiroje proceset e shpirtit. Ktheva sytë nga filozofia e besimit njerëzor në diçka të David Hume-it, të cilin ai e quan Belief dhe që e trajton ndjenjën si racionalitet:
“Aktiviteti i shpirtit, që përbën besimin në diçka, duket të jetë gjer më sot një nga misteret më të mëdha të filozofisë, ndonëse askush nuk ka dyshuar se ekzistonte ndonjë vështirësi për ta shpjeguar”, thotë ai. “Më duhet të pranoj se unë vetë kam hasur një vështirësi të konsiderueshme në këtë, se edhe kur më ngjan se e kuptoj përsosmërisht çështjen, nuk gjej fjalët për të shprehur atë që dua të them. Përfundimi shumë evident, sipas meje, është se një opinion apo besim nuk është veçse një ide, e cila është e ndryshme nga një fiksion (rremtësi), jo në lidhje me natyrën apo me rendin e pjesëve të saj, por me mënyrën se si është konceptuar. Por kur dua ta shpjegoj këtë mënyrë, mezi arrij të gjej ndonjë fjalë që i përgjigjet tërësisht ekspozesë sime, dhe jam i detyruar të përdor ndjenjën e gjithsecilit për të dhënë një nocion të përsosur të këtij aktiviteti të shpirtit.”
Në përshkrimin, që filozofi skocez i bën besimit njerëzor brenda një realizmi natyralist, e konsideron atë si një aktivitet mendor që shoqëron funksione të ndryshme të intelektit dhe që drejtohet nga rregulla asociative të pavarura nga intelekti. Qëndrueshmëria e këtij besimi buron nga eksperienca; besimi mbështetet në përshtypjen e momentit, dhe ky është një nga parimet e natyrshme të tij. Besimi është i pavarur nga arsyeja, një nga bazat e tij është zakoni.
Duke ndjekur këtë logjikë të filozofisë së Hume-it, skuadra e zemrës përzgjidhet skuadra fitimtare e asaj të tashmeje, e asaj kohe kur bëhet e mundur përzgjedhja (e tashmja e fëmijërisë, pra) dhe kjo realizohet në bazë të një ndenje dhe të një zakoni të parcaktuar: zakonit apo të mësuarit për ta parë skuadrën e zemrës fitimtare.
Por sa herë fiton skuadra jonë e zgjedhur? Për sa kohë ajo është fitimtare? Kjo nuk ka më rëndësi, procesi i belief-it, i krijimit të besimit tashma është kryer. Edhe nëpërmjet forcës së zakonit. “Zakoni”, thotë Hume-i, “bëhet atëherë udhëheqësi i madh i jetës njerëzore. Vetëm ky parim e kthen eksperiencën në diçka përfituese, dhe na bën të shpresojmë se në të ardhmen do të kemi të njëjtin rezultat për një ngjarje të caktuar me atë, që jemi mësuar të shikojmë në të shkuarën.”

* * *
Dhe, me sa duket, kjo shpresë shkon gjer në fund të jetës njerëzore.
“Arsyeja është krejt e pafuqishme”, thotë peshkopi Berkeley, në përqasje të temës për të cilën po flasim, “është i domosdoshëm vetëm një Akt bese.”
Me të, përzgjedhja mund të bëhet nëpërmjet një intuite bazë, e cila i ka rrënjët tek emocioni (fitorja e skuadrës kandidate për t’u përzgjedhur) dhe është e njëjtë si te njeriu i egër, ashtu edhe te fëmija… Ky Akt bese, ky belief që vulos përzgjedhjen e skuadrës së zemrës në fëmijëri, mbetet i shenjtë, pasi kjo është natyra e tij, bëhet pjesë e qenësishme e Unit tonë.
Dhe e përfytyrova fëmijërinë e paçbëshme dhe të pandryshueshme si një arkëzë, ku gjithsecili kish kyçur brenda skuadrën e tij të zemrës dhe e kish hedhur çelësin ujërave të jetës, ku ajo lundronte përjetësisht...

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›