E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autogol i befasishëm i FIA-s, ja marrëveshja Mosli-Renault

Fillon të dalë në shesh e vërteta rreth vendimit të rëndë të dhënë nga FIA në dëm të Briatores. Kontributin më domethënës e jep Mohamed Ben Sulajem, presidenti i "Automobil Club" në Emiratet Arabe, ish-piloti i "rally"-t dhe zëvendëspresidenti i FIA-s. Një njeri i besuar i Moslit. Ai deklaron qetësisht rreth procesit gjyqësor në të përditshmen angleze "Guardian": "Kemi negociuar çdo gjë më parë (mbledhjes së këshillit botëror) dhe të gjithë jemi të lumtur për rezultatin... Detyra ime është të mbroj investimet e bëra në Çmimin e Madh të Abu Dhabit. Është një shou i madh dhe ka nevojë për skuadrat. Të gjithë ne dëshirojmë të shikojmë Renaultin në F.1". Ben Sulajem ishte komisari sportiv, i cili skualifikoi Renaultin në Hungari për shkak të rrotës së humbur në pistë nga Alonso dhe që nuk u paraqit fare në Apel. Është një detyrë e lartë federale. Deklarata e tij konfirmon atë që po dyshojmë prej ditësh, e cila ka të bëjë me faktin e ekzistencës së një marrëveshjeje mes Moslit dhe Renaultit përpara procesit, një marrëveshje e cila kishte si qëllim të mbronte shtëpinë franceze të makinave. Nën kërcënimin e një gjobe të rëndë (rreth 25 milionë dollarë) Renaulti ka kërcënuar me largim nga garat. Kjo gjë ka vënë në lëvizje Berni Eklestonin, i cili ka punuar për të mbrojtur një aktor të rëndësishëm. Gjithçka është bërë në këmbim të një fajtori të shkëlqyer që ishte Flavio Briatore. Mësohet se dëshmitar ka dalë njeriu "Mister X", nëpunës i skuadrës së Renaultit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›