E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri, sezoni vetëm një premierë absolute

Teatri Kombëtar ende nuk ka një kalendar të përcaktuar saktësisht për gjysmën e dytë të sezonit artistik, por piketimet janë bërë. Në një konferencë të djeshme për shtyp, gjatë së cilës është prezantuar premiera në Tiranë e pjesës "Antigona kërkon të atin", e cila do të çelë dhe sezonin, drejtori Kristaq Skrami është shprehur se në fund të muajit do të ketë një kalendar të përfunduar. Pas premierës në Fier, regjisori Mihal Luarasi do të hapë sezonin me një histori diktature dhe një thirrje për falje publike drejtuar atyre që shkaktuan shumë viktima. Por duket se në skenën e TK-së do të ngjitet vetëm një premierë absolute. Do të jetë "Kush e vrau Virxhinia Woulf", vepra e Eduart Olbit që po vihet në skenë nga Kushtrim Bekteshi, një regjisor i ri, shqiptar i Maqedonisë. Një tjetër vepër që Skrami e quan premierë, por e shfaqur vetëm një herë në sezonin e shkuar do të jetë "Forca e zakonit", me regji të austriakut Chris Papke. Sipas drejtorit nuk do të mungojnë pjesë të repertorit si komedia "Të gjithë me huqe", premierë e sezonit të shkuar nga Gëzim Kame, "Menaxherja e qelqtë" apo "Allegreto Albania". Skrami ka folur edhe për një marrëveshje me teatrin e Prishtinës, të cilët në kuadrin e memorandumit të bashkëpunimit do të sjellin në Tiranë një shfaqje të tyren. Por deri në një kalendar përfundimtar, ndryshimet janë të pritshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›