Vija irritohet me Valencian, destinacioni i tij në Angli?
Pas dështimit të tratativave verore, të cilat duhet të çonin David Vijën në fillim te Barcelona dhe më pas te Real Madrid, sulmuesi simbol i Valencias tashmë duket i destinuar për t‘u transferuar jashtë kampionatit spanjoll, më saktë në Angli. Në fakt Mançester Junajtid ndihet i lodhur nga pritja e shpërthimit të Dimitar Berbatov dhe mund të investojë sërish një mal me euro, të cilat i mori pas shitjes së Kristiano Ronaldos, për të sjellë në "Old Trafford" një sulmues, i cili ka demonstruar se di të shënojnë në çfarëdo lloj situate të lojës. Vlera sulmuese e "Guaje" Vija dihet nga të gjithë, por përse kjo tratativë mund të marrë formë pikërisht tani? Përgjigjja gjendet në fjalët e fundit të vetë sulmuesit pas barazimit 2-2 kundër Sporting Gijon; një ndeshje speciale për Vijan, i cili ka realizuar dy gola kundër klubit në të cilin është rritur. Në fund të ndeshjes ai nuk i ka kursyer kritikat ndaj Valencias. "Vendosja e skuadrës në pjesën e dytë ka qenë totalisht e gabuar, deklaroi numri 7. Duke vazhduar kështu, do ta mbyllim kampionatin më keq se vjet. Mjafton të mendosh se përpara nesh janë skuadra më të forta, që po shkëputen". Këto fjalë kanë ndezur mediat angleze, të cilat insistojnë për një kalim të mundshëm të tij te Mançesteri. Trajneri i Valencias, Unai Emery, provon të zbusë polemikën: "Çështja me Vijan është diskutuar dhe mbyllur. Për ne e rëndësishme është që ai shënon dhe problemet e brendshme i zgjidhim vetë. Gjithçka ka mbaruar". Të paktën deri në janar...