E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjaft: Centrali bërthamor është një marrëzi

Lëvizja kërkon ndalimin e projektit të qeverisë për të ecur drejt energjisë atomike

Lëvizja “Mjaft” i konsideroi dje planet e qeverisë për të krijuar bazën ligjore për energjinë atomike si një “marrëzi” që duhet të frenohet sa më parë, si edhe bëri thirrje për organizimin e një fushate kundër iniciativës. Sipas “Mjaft”, qeveria “po ndërmerr masa për ndërtimin e një centrali bërthamor në rrethin e Shkodrës”. Qeveria miratoi të mërkurën një vendim për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Energjisë Bërthamore, një institucion që do të ketë për detyrë të krijojë bazat ligjore për energjinë bërthamore në vend. Sipas “Mjaft”, qeveria shqiptare është tepër e papërgjegjshme për të menaxhuar një objekt të tillë si centrali bërthamor.
“Në shumë raste kjo qeveri ka dëshmuar një papërgjegjshmëri të tejskajshme në menaxhimin e zonave të rrezikut dhe në mbrojtjen e jetëve njerëzore. Jemi të gjithë dëshmitarë se në asnjë moment nuk është treguar aftësia më e vogël parandaluese në çfarëdo niveli, që nga ndriçimi i një stadiumi e deri te tragjedia e Gërdecit”, tha lëvizja “Mjaft” në një deklaratë për shtyp. Centralet e energjisë bërthamore janë projekte që kërkojnë minimalisht dy dekada investime paraprake. Para se të ndërtojë një central bërthamor për qëllime paqësore, një vend duhet të marrë fillimisht leje tek Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore.
“Edhe në momente të tilla krize humanitare që veriu i Shqipërisë po kalon, kjo qeveri po tenton t’i vërë këto zona para një rreziku edhe më të madh, duke përparuar me planin e saj absurd për ngritjen e një centrali bërthamor, i cili më parë është kontestuar hapur nga banorët e këtyre zonave”, tha “Mjaft”.
Në vitin 2007, ndërsa Shqipëria po vuante krizën më të thellë të dritave që nga koha e elektrifikimit të vendit në vitet ’60, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kishte ndër mend ta zgjidhte krizën, duke ndërtuar një central bërthamor. Opozita kundërshtoi menjëherë, ndërsa media në të gjithë Ballkanin diskutoi gjerësisht jo për një ide afatgjatë, por për një projekt të gatshëm, që mund të nisë zbatimin së shpejti. U përfol edhe për një aleancë mes Kroacisë dhe Shqipërisë për ta ndërtuar termocentralin mbi lumin Buna në Shkodër. Jo vetëm Shqipëria, por edhe Maqedonia e Serbia e kanë me qejf ndërtimin e një vepre të tillë, pavarësisht se janë dekada larg çdo lloj projekti konkret.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›