E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imer Bara, urtësia e përjetësuar



Agim Koçeku

Ndoshta është një nga ditët më të veçanta për mua si njeri i pamësuar me fjalime standarde, por që mendoj se nuk kam doganë për fjalën kur duhet të them diçka për një njeri që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time. Nuk kam se si të mos kujtoj me respektin më të madh një prej të urtëve të Dibrës, pionierin e luftës, debatikasin, korrierin ilegal, aktivistin, njeriun që propagandoi idetë antifashiste në zonën Verilindore, partizanit të formacioneve të ushtrisë Çlirimtare, Imer Barën.
Imeri rridhte nga një familje me tradita të hershme atdhetare, origjina e së cilës vjen nga fisi Manesh, i dëgjuar në Dibër për prijësin Pal Maneshi, bashkëkohës dhe bashkëluftëtar i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti (Skënderbeu).
Sot më 17 janar 2009 mblidhen ???????????????????djemtë e Dibrës, gjenerata e re e intelektualëve, shkrimtarëve, profesorëve, artistëve të këtij brezi dijetarësh që me veprën e tyre po çimentojnë themelet e brezave të mëparshëm e po lartësojnë drejt qiejve veprën e tyre të sotme. Alban Budina, Adem Rrokaj, Adli Dibra, Agim dhe Agron Bara, Aleko Gole Noshi, Ali Bara, Ali Koçeku, Avni Ndreu, Bajram Stojku, Bashkim Rama, Bujar Kapexhiu, Dine Kaca, Dogjan Dervishi, Arif Hasanaj, Flamur Dalipi, Gëzim V. Bara, gjeneral Gjergj Vladi, Hajri Hoxha, Hamdi Meta, Hysni Dervishi, Ilir Balili, Ismail Bara, Isuf Xhediku, Kasem Hoti, Lek Rajta, Lenin Vladi, Lutfi Hanku, Masllan Shehu, Mehmet Cela, Mentor Muça, Naim Zoto, Xhemile Bara, Nezir Cupi, Nezir Mena, Nikoll Vladi, Nevruz Bara, Petrit Bara, Ramazan Vladi, Selim Pira, Shaban Sinani, Shefki Prifti, Xhevahir Shegaj, Shpresa S. Bara-Likaj, Sul Baholli, Tahir Hasani, Vehbi Bara, Xhevdet Shehu, Hysen Dervishi. Ky kuvend burrash, nënash, djemsh dhe vajzash nga të gjitha trevat e vendit tonë mblidhet në sofrën e madhe të Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë ku me promovimin e librit “Imer Bara, Shënime Jetëshkrimore” lartësojmë veprën e këtij ushtaraku, patrioti e dijetari, biri të Dardhës e të Dibrës, debatikasit, antifashistit, partizanit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, oficerit të Ministrisë së Brendshme, një djali të respektuar të prindërve, vëllezërve, motrave, dajave, nipave, kushërinjve, njeriut të afërm të hallexhinjve dhe fukarenjve, një shpresë e madhe e individëve që lufta e klasave e asaj kohe godiste. Dora po më dridhet ndërsa po hedh këto radhë para penave të mëdha si prof. dr Shaban Sinani, prof. dr Petrit Bara, prof. dr. Arjan Kadiu, apo shkrimtarëve si Lutfi Hanku, Pavllo Gjidede, Fatos Daci, Ilir Balili, Adli Dibra, që me shkrimet e tyre zbulojnë hollësisht karakterin, dashurinë, zgjuarsinë, atdhedashurinë, guximin, trimërinë, bujarinë, virtyte këto që e bëjnë Imer Barën simbol për të rinjtë e gjakut të tij si: Petriti, Agroni, Agimi, Hasani, Qatipi, Nevruzi, Tahiri, Ilmiu, Astriti, Miftari, Daliu, Agimi etj. Kushdo që e ka njohur Imer Barën ka se ç’të tregojë për të. Edhe unë dua të hedh në disa rreshta një kujtim shumë të veçantë që daton 26 vjet më parë.
Ishte pranvera e vitit 1983. Në Maqellarë po organizohej një konferencë për Sigurinë Kombëtare. Kishte shumë të ftuar që do të mbanin kumtesa. Dy ndër ta ishin Imer Bara dhe Ilir Balili. Në sallë ndodheshin më shumë se 300 veta. Ilir Balili që në hyrje të fjalës së tij tha: “Imer Bara është kasafortë”. Kjo ishte një shprehje mjaft domethënëse dhe tipike për një burrë që rininë e tij e nisi duke luftuar spiunët e fashizmit. Në vazhdim të aktivitetit të vet patriotik, Imeri lidhi luftëtarët e lirisë nga malet e Pezës e të Dibrës me shokët e tyre në qelitë e Burgut të Tiranës. Imer Bara nga lufta e atentateve kundër fashizmit kaloi më pas në luftën e hapur partizane në male. Edhe pse nuk ishte ngopur asnjëherë me bukë maleve të Pezës dhe të Dibrës, ai ishte plot urrejtje ndaj fashizmit. Ky njeri i palodhur rezulton me një kontribut të madh edhe në ndërtimin e Shqipërisë së re. Ai mbeti gjithnjë një shok i mirë dhe një atdhetar i madh.
Dua ta sjell pa vonesë shembullin nga kujtesa kasafortë e Imer Barës. Ajo lidhet me një histori të pas ngjarjeve të vitit 1981, kohë kjo kur vëllezërit kosovarë kishin demonstruar vullnetin e tyre për pavarësi nga Serbia. Në rrëfimin e tij, Imeri tregoi se si një gazetar i “Dojçe Velles” kishte shkuar të intervistonte një kosovar dhe një serb. Pyetja e parë e gazetarit kishte qenë e thjeshtë pasi kërkonte informacion rreth fëmijëve të secilit. Serbi kishte dy fëmijë ndërsa kosovari njëmbëdhjetë. Gazetari i habitur nga përgjigjet ishte shprehur se serbi kishte llogari ndërsa kjo nuk i rezultonte për shqiptarin. Kosovari pas kësaj kërkoi përsëri fjalën dhe insistonte që gazetari t’i jepte përgjigje për një pyetje që do t’ia bënte ai tashmë. Ju gazetar, serbi dhe familja e tij bëheni 5 veta dhe vendoseni në njërën anë të kodrës përballë, unë me familjen time bëhemi 13 dhe vendosemi në anën tjetër të kodrës. Kush do të fitojë nëse ndeshemi?
“Prandaj sa më shumë fëmijë të lindim, aq më të sigurt do të jemi si këtu ashtu edhe në Kosovë”, - u shpreh Imeri.
Ky ishte Imer Bara që edhe një konferencë të Sigurisë Kombëtare në një zonë të verilindjes dinte të thoshte fjalë të mençura duke na treguar se atdhetaria ishte pjesë e karakterit të tij dibran. Njerëzit ia nisën brohoritjeve menjëherë sapo ai mbaroi fjalën duke thënë: “Të paçim Imer Bara”, ndërsa sot unë do ta nis fjalën time: “Të paçim Petrit Bara që na e përjetësove Imerin”.

17 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›