Tendencat e modës 2009, ngjyrat dhe veshjet që propozojnë stilistët
Stilistët më të njohur në botë, me hyrjen e vitit 2009, sugjerojnë tendencat e modës për këtë vit.
Gjithçka që propozojnë stilistët për këtë dimër janë veshje, aksesorë dhe detaje të zjarrta. Sipas tyre, në stinën e dimrit 2009 duhet të bini në sy. Për t’ia arritur, synoni vetëm një ngjyrë, të kuqen, edhe ditëve të ftohta. Mos ngurroni t’i jepni ngjyrë vjeshtës dhe dimrit.
Ngjyrat
Gardëroba e re duhet të jetë e tejmbushur me ngjyra, por ajo që duhet të bjerë më shumë në sy është e kuqja. Jo vetëm stilisti Valentini ka zbritur në pasarelat botërore me të kuqen e tij të famshme. Edhe emra të tjerë, si Versaçe apo Blugirl, kanë stiluar mbi copat e zjarrta. Për të gjitha ato femra që kanë karakter të vendosur, këshilla është vetëm një: e kuqe brilante, e dukshme, e ndezur. Kush pëlqen tonet më neutrale, mund të synojë të kuqen e fikur. Ndërsa ato që duan t’i japin pamjes një prekje ngjyrash, mund të zgjedhin aksesorët e kuq nga koka te këmbët: këpucë, doreza, çantë apo edhe flokë në nuancë të kuqe, që tërheqin me një shikim. E dyta, pas ngjyrës së kuqe, renditet ajo vjollcë, që sipas stilistëve është e vetmja që mund t’i përshtatet çdo femre. E preferuar prej stilistëve, e veshur prej personazheve, ngjyra e shpresës bëhet protagoniste këtë vit. Thuhet se kush vishet me të gjelbër, beson në bukurinë e vet. E pra, modelet që vishen nga stilistët dhe yjet që kalojnë mbi tapet të kuq e ditkan mirë! Bëni mirë të besoni edhe ju. Ose, nëse nuk ju duket e vështirë ta bëni këtë, të paktën vishuni me të gjelbër.
Lëkura
Të vishesh me lëkurë, është një nga tendencat më të forta për këtë dimër. Megjithëse e rikthyer nga e kaluara, duket se kjo veshje do të vazhdojë të rezistojë ende. Tendenca “animal print” ka pushtuar edhe këtë vit pasarelat vjeshtë-dimër. Që nga palltot e trasha, këpucët, çantat, aksesorët, deri te fustanet e mbrëmjes, që duket se personazhet e njohur e kanë të pamundur t’i rezistojnë, sidomos kur vjen puna për të pozuar para aparatit. Lëkura mund të vishet edhe gjatë ditës në stilin casual, por më së shumti këshillohet gjatë mbrëmjeve dhe rasteve të veçanta. Veshja me lëkurë tërheq më shumë vëmendjen dhe të siguron një look tërësisht të ri. Por nuk duhet tepruar. Kështu, nëse zgjedh një fustan ose pallto, zbute pamjen. Mos zgjidh të njëjtën dizenjo edhe për këpucët, edhe për çantën.
Rrobat
Kilet e tepërta mund të jenë seksi, mjafton që të “paketohen” mirë, - thotë stilistja Xhenifer Rejd, e cila ka punuar me bukuroshen Kim Kardashian, e cila është bërë e famshme për shkak të dimensioneve të saj. Pa marrë parasysh se a keni 5, 15 apo 25 kg më shumë, përzgjedhja adekuate e rrobave intime menjëherë do t’ju bëjë të dukeni më e hollë, - thotë Rejd. Të brendshmet e stilit të Brixhit Xhonsit, edhe pse jo të hijshme dhe paksa qesharake, ndikojnë në ngushtimin e ijeve, e shtrëngojnë barkun dhe e definojnë belin. E njëjta gjë arrihet edhe me sutienët “me tel”, të cilët i ngrenë gjinjtë dhe i forcojnë ata, duke i dhënë trupit formën e orës së rërës. Hapi tjetër deri te pamja seksi janë çorapet formësuese të najlonit. Ato i ngrenë vithet, duke i bërë të duken më të vogla dhe më të ngushta, duke e ofruar pamjen kah dimensionet e dëshiruara. Përpos rrobave intime që përshtaten me vijat e trupit, rrobat me numër adekuat i “shkrijnë” edhe 5 kg të tjerë. Mos vishni rroba tepër të ngushta apo tepër të gjera, sepse do të dukeni edhe më e shëndoshë sesa që jeni.
Kombinimet
E njëjta gjë vlen edhe për rrobat me motive të luleve dhe me vija të tërthorta. Për këtë shkak, kombinimet njëngjyrëshe të toneve të errëta janë gjithmonë zgjidhja më e mirë. Përpos që do të dukeni më e gjatë dhe më e zhdërvjelltë, do të keni edhe një stil të lartë duke qenë se rroba të tilla është lehtë t’i kombinoni dhe përshtatni me detaje të ngjyrave të kthjellëta, si për shembull me shalle dhe stoli adekuate. Rripi i hollë bën që trupi juaj të ketë formë të orës së rërës, kurse rripi i gjerë (në formën e korsesë), për një pamje fëmijërore. Rrobat me grykë në formën e shkronjës “V” e tërheqin vëmendjen nga ijet dhe beli i trashë. Qaforet dhe byzylykët e mëdhenj me ngjyra intensive e tërheqin vëmendjen nga beli dhe barku. Vathët varës e zgjasin vizualisht qafën. Për dallim nga vijat e pjerrëta, që na bëjnë të dukemi më të trashë, shkencëtarët nga Nju-Jorku thonë se vijat horizontale e ngushtojnë figurën, përkundër mendimit të mëparshëm se ato na bëjnë të dukemi më të trashë.
Këshilla
Gardëroba e re duhet të jetë e tejmbushur me ngjyra
Ngjyra që duhet të bjerë më shumë në sy është e kuqja
Pas ngjyrës së kuqe, renditet ajo vjollcë, që mund t’i përshtatet çdo femre
Ngjyra e gjelbër është një tjetër ngjyrë që bëhet protagoniste këtë vit
Të vishesh me lëkurë, është një nga tendencat më të forta për këtë dimër
Rregulla të reja në gardërobë
Ashtu siç evoluon, moda nxjerr edhe “rregulla” të reja. Kur meshkujt përpiqen të përkrahin në përsosmëri këto standarde të pandryshueshme, ndonjëherë nuk i vënë re faktet se këto tendenca kanë sjellë risi dhe janë modernizuar. Të besosh në keqkuptime të zakonshme, si “mos vish të bardha pas një dite pune”, do t’ju mbajë larg të qenit një mashkull modern, edhe kur e keni potencialin për të qenë një i tillë.
Ji gjithmonë vetvetja!
Vishni çfarë ju duket e këndshme, jo çfarë të tjerëve u duket trendi. Duhet të ndiheni gjithmonë rehat me atë që keni veshur, prandaj shihni nga artikujt që i shkojnë për shtat personalitetit dhe stilit tuaj, duke pasur gjithmonë në mendje se në ç’raste dhe mjedise do t’i përdorni.
Më pak është më mirë
Mendoni gjithmonë me vete “nuk do të mbingarkohem”. Nuk keni pse vishni përnjëherësh çdo artikull trendi që keni blerë. Blini një ose dy artikuj trendi për çdo stinë dhe kombinojini me rrobat bazë të gardërobës suaj. Është një mënyrë e mirë për të kursyer dhe rrugë e sigurt për t’u dukur sa më mirë çdo ditë.
Ruani baraspeshimin!
Mbani një ekuilibër të veshjeve bazë dhe atyre trendi në gardërobën tuaj. Me fjalë të tjera, gjysma e gardërobës nuk duhet të konsistojë në rroba trendi ose, më keq akoma, në rroba që kanë dalë jashtë mode. Përpara se të vendosni të blini një artikull të ri, pyesni veten nëse po e blini sepse është në modë apo sepse ju e pëlqeni atë në mënyrë të shëndetshme.
Mos u bëj pinjoll i markave të njohura!
Një tjetër veprim i mirë që mund të bëni është t’i shmangeni referimit të rrobave sipas etiketave të stilistëve, si për shembull: “Rripi im Boss” xhinset e mia Diesel”. Duke shkëputur artikullin nga prodhuesi i tij, do të keni mundësi ta gjykoni artikullin veçmas dhe të shihni nëse ju përshtatet.
Mos ji skllav i medias!
Mos e bazoni pamjen tuaj vetëm në atë që shihni në pasarelat e modës në revistat ku reklamohen modele apo njerëz të famshëm apo në rubrikat televizive të shou-biznesit. Njerëzit e famshëm dhe modelet mbingarkohen me artikuj trendi për të tërhequr vëmendjen dhe joshja e tyre flakëruese nuk përkthehet në asgjë të mirë për ju në botën e vërtetë.
Mund të vishni të bardha edhe pas një dite pune
Rregulli më i cituar i modës “mos vishni të bardha pas një dite pune”, mund të jetë mënyra më e gabuar për t’iu afruar modës. Është e vështirë për të thënë me saktësi se ku i ka origjinat ky rregull, por mund t’ju themi se ky urdhër i modës nuk gjen shumë aplikim në kohët moderne. Sot kemi arritur në përfundimin se klima nuk e kontrollon ngjyrën.
Këpucët dhe rripi mund të mos jenë të së njëjtës ngjyrë
Shumë njerëz kanë frikë të përziejnë ngjyrat dhe vazhdojnë me ritmin e bashkërendimit të tyre. Largohuni nga kjo frikë e përgjithshme dhe hiqni nga mendja se rripi duhet të jetë në një ngjyrë me këpucët! Kjo gjë ka bërë që shumë meshkuj, me saktësinë njëngjyrëshe tejet monotone, të duken të mërzitshëm tek ecin.
Mund t’i përzieni dizenjot
Shumë njerëz kanë frikë të kombinojnë ngjyrat, ashtu siç kanë frikë edhe të kombinojnë dizenjot. Për shumë prej jush, rregulli i rremë për të veshur vetëm një dizenjo në një veshje është ngulitur thellë në mendje. Nga kombinimi i dizenjove mund të përftoni një pamje shumë të sofistikuar dhe modern, por vetëm nëse dini si t’i përzieni së bashku.
Manshetat dhe karficat e kravatave nuk janë jashtë mode
Është mëse e zakonshme të shoqërizosh elementë të stilit klasik pa dalë jashtë mode. Është një mendim i përgjithshëm se nëse manshetat dhe karficat e kravatës janë artikuj kryesorë veshjeje të meshkujve mbi 50 vjeç, atëherë janë tabu. Kjo mënyrë të menduari mund të jetë e gabuar. Manshetat janë të detyrueshme nëse mëngët e këmishës e kërkojnë, ndërsa karficat janë aksesorë formalë të stilit të lartë.
Orët me rrip metalik nuk shkojnë me gjithçka
Orët me rripa argjendi apo çeliku janë zgjedhja më popullore për veshjen e kyçit të dorës. Në fakt, ato janë aq popullore, sa orët klasike me rripa lëkure. E vërteta është se orët me rrip argjendi dhe çeliku janë aksesorë me shkëlqim dhe nëse shkojnë mirë me veshjet e zakonshme dhe ato të punës, nuk duhen veshur me kostume formale apo smoking. Rregulli i ri: Investoni në orët me rripa lëkure!
Vishuni mirë!
Harrojini idetë e vjetra të modës, të cilat i keni ndjekur për vite. Ashtu si moda ndryshon, po ashtu ndryshojnë edhe rregullat e saj. Porositë e modës së sotme janë pak a shumë të shkujdesura, më tolerante. Të dukesh dhe të ndihesh modern, do të thotë të shprehësh individualitetin tënd dhe jo të ndjekësh një tendencë të sertë për parimet e të veshurit.
17 Janar 2009