Ndalohen tre trafikantë të klandestinëve, bënin dokumente false
KORÇË - Policia rajonale e Korçës ndaloi dje tre persona me banim në qytetin e Korçës, të cilët akuzohen për veprat penale të “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe falsifikim të vulave e dokumenteve zyrtare”. Burime zyrtare të kësaj policie thanë se të ndaluarit janë, Marko Hysolli, 24 vjeç, Joanis Hajdini, 28 vjeç, dhe Erald Jonuzi, 22 vjeç. Disa ditë më parë ata ndihmuan disa shtetas që të kalonin kufirin, drejt Greqisë, por u ndaluan nga policia. Pas dëshmisë së tyre nisën hetimet dhe dje u bë e mundur që të prangosen tre të rinjtë që falsifikuan dokumentet e emigrantëve ilegalë.
Gjendet i karbonizuar roja i benzinatës, e la zemra në gjumë
Korçë – Një 59-vjeçar ka gjetur vdekjen në mënyrë të dhimbshme në orët e para të ditës së premtes, pasi u asfiksua i gjallë brenda kabinës së tij të punës. Nuri Muça, 59 vjeç, lindur në Fier dhe banues në fshatin Zëmblak të Korçës, është viktima i zjarrit të rënë në një pikë karburanti. Mësohet se Muça gjendej gjatë natës në hyrje të pikës së karburantit që ndodhet në fshatin Plasë, ku dhe kishte nisur punën dy muaj më parë si roje i turnit të tretë. Në mëngjesin e djeshëm, i ndjeri është gjetur i karbonizuar. Një grup hetimor shkoi në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore rezultoi, se vdekja e Nuri Muçës mund të ketë ardhur si rezultat i pakujdesisë së tij me përdorimin e pajisjeve elektrike në një ambient të karburantit. “Janë konstatuar disa djegie të lëkurës në pjesën e dorës së majtë dhe në gjoks që na çojnë në dyshimin e besueshëm se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale”, - thanë burime zyrtare policore që shtuan se po i vazhdojnë hetimet për të sqaruar deri në fund rrethanat e tragjedisë.
17 Janar 2009