Buxheti, mbeten pa para 2 mijë familje
BERAT - Mosmiratimi i buxhetit të Bashkisë së Beratit lë punonjësit e saj pa rroga, por edhe rreth 2 mijë familje pa përkrahjen sociale. Bashkia nuk ka mundësi financiare që të paguajë punonjësit e administratës, ndërmarrjes së Gjelbërimit, Ndërmarrjes së Rrugëve etj. Burime nga bashkia u shprehën se pavarësisht acarimeve të këshilltarëve për menaxhim jo të mirë të fondeve, buxheti duhej votuar. “Buxheti që është dhënë nga qeveria nuk ka ngjyra partiake, por ai jepet për t’u përdorur në shumë sfera që mbulon bashkia, pavarësisht edhe gabimeve të vogla që mund të jenë bërë, gjatë vitit të kaluar”, u shpreh kryebashkiaku Fadil Nasufi. Specialistët e financës në bashki u shprehën se 2000 familje presin për të marrë përkrahjen sociale. Para nuk ka as për kopshtet, çerdhet etj. Dy ditë të parë, të djathtët i thanë “Jo” buxhetit të bashkisë pasi kjo e fundit sipas tyre i kishte menaxhuar keq fondet e një viti më parë. d.xh