E Diel, 1 Nëntor 2026

Autori: Kam qenë i dehur. Shanaj: S’ kam pasur konflikte

14/07/2011  “Arrest në burg” për 41-vjeçarin Adrian Hoxhallari, sulmoi me armë banesën e Shanajt

Burg kërcënuesit të Mevlan Shanajt

POGRADEC- Dje u caktua masa e sigurisë “arrest në burg” për personin që bëri sherr me armë me artistin Mevlan Shanaj. Kështu, u la në burg 41- vjeçari Adrian Hoxhallari, nga Buçimasi i Pogradecit, pasi mbrëmjen e së dielës në orën 20.15 minuta, sulmoi me armë zjarri, pistoletë tip “TT”, model 54, duke qëlluar disa herë me radhë në drejtim të banesës së aktorit dhe regjisorit Mevlan Shanaj, kur pikërisht në atë kohë në brendësi të shtëpisë ndodheshin të gjithë anëtarët e familjes së tij. Ky vendim u mor nga trupa gjykuese, pasi u njoh me versionet që solli organi i akuzës dhe avokati i Adrian Hoxhallarit. Pala mbrojtëse kërkoi dhënien e një mase më të lehtë, pasi sipas avokatit Neim Hoxhallari, i pandehuri kishte pranuar autorësinë e ngjarjes dhe veç kësaj ai kishte qenë në gjendje të dehur kur kishte qëlluar në drejtim të shtëpisë së aktorit Mevalan Shanaj. Dhënien e një mase më të lehtë sigurie ndaj 41- vjeçarit, avokati e justifikoi dhe me pretendimin se Adrian Hoxhallari nuk ishte kapur nga policia, por ishte vetëdorëzuar disa orë më vonë pas aktit që kishte kryer. Por pretendimi i fundit se Hoxhallari ishte vetëdorëzuar u hodh poshtë nga organi i akuzës, duke argumentuar se 41-vjeçari ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte fshehur të banesa e gjyshit të tij, në fshatin Osnat të komunës Dardhas në rrethin e Pogradecit, ku edhe ishte kapur nga policia. Ndërsa gjatë deklarimeve të tij, vetë i pandehuri i mëshoi faktit që në çastin që kishte sulmuar shtëpinë e aktorit Mevlan Shanaj kishte qenë i dehur. Ndërkaq ai deklaroi se mes familjes së tij dhe familjes së Mevlan Shanajt nuk kishte pasur asnjëherë mosmarrëveshje apo konflikte. Gjithçka që kishte ndodhur kishte qenë thjesht dehja e tij. Megjithatë, nga hetimet e kryera ka rezultuar se mes 41-vjeçarit dhe aktorit Mevlan Shanaj gjatë ditëve të fundit kishte pasur dy mosmarrëveshje, ku njëra kishte të bënte me parkimin që i kishte bërë mjetit të tij Hoxhallari në rrugicën që ndan dy banesat e tyre (Shanajt dhe Hoxhallarit), por që nga ana e Shanajt nuk ishte lejuar ky parkim, dhe mosmarrëveshja e dytë kishte lindur kur Hoxhallari kishte vendosur një rrjetë plastike para hotelit të tij, por që sërish nuk ishte lejuar nga aktori Shanaj, sepse rrjeta zinte fushëpamjen e banesës së aktorit që të shihte nga liqeni.

V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›