Autori i masakrës së Oslos, Brejvik mund të përballet me akuzën për krime kundër njerëzimit

Autoritetet lokale mund të kërkojnë një dispozitë të re të kodit penal
Tubime masive janë mbajtur në mbarë Norvegjinë për të përkujtuar viktimat e sulmeve binjake të së premtes nga Andres Behring Brejvik. Më shumë se 100 mijë persona u mblodhën në Oslo me lule dhe qirinj në duar, duke kënduar himnin dhe duke përqafuar njëri-tjetrin. Një det njerëzish që shtrihen aq sa syri mund të shohë, shpjegon BBC, duke mbajtur në duar trëndafila e duke thënë se Norvegjia nuk do të lejojë që të ndryshojnë jetën, kanë marshuar për orë të tëra në rrugët e Oslos. Një koncert i shkurtër përkujtimor u mbajt pasi turma këndoi himnin anti nazist për të gjithë të rinjtë. “Ne jemi një shoqëri e vogël që i bën të gjithë të ndjehen të prekur”- u shpreh kështu një pjesëmarrës në tubim. Më herët kryeministri i vendit, Stolkenberg, i është drejtuar kombit me një minutë heshtje për viktimat. Ndërkohë që, policia norvegjeze ka nisur hetimet mbi deklaratën e Andres Behring Breivik, i cili pranoi se nuk kishte vepruar i vetëm, por me ndihmën e dy celulave me të cilat bashkëpunonte. Kjo ishte seanca e parë dëgjimore pas ngjarjeve tragjike të bombës në Oslo dhe masakrës në kampin e Utoya, sulme nga të cilat humbën jetën 76 persona, 17 më pak sa ishin thënë në fillim. Breivik do të qëndrojë për 8 javë në qeli. Gjykësi Kim Heberts tha se gjatë izolimit, ai nuk mund të marrë letra apo të presë vizitorë, përveç avokatëve të tij. Ndërsa shëndeti i tij mendor do të ekzaminohet nga 2 psikiatër. Breivik akuzohet për akte terroriste. Aktet përfshijnë destabilizimin e funksioneve jetësore në shoqëri dhe qeverinë, duke shkaktuar frikë serioze tek njerëzit. Gjykatësi tha se Breivik ka pranuar autorësinë e sulmeve, por jo fajësinë.
Shqiptarja e zhdukur në Oslo
“Babë, deshtëm me u nisë po nuk po na lejon policia me hip në anije se paska ndodhë një sulm në Oslo”, ishte ky mesazhi i fundit me telefon, që kishte pranuar Bajrush Selaci, të premten pasdite nga e bija Lejla (17) e cila konsiderohet e zhdukur pas tragjedisë që ndodhi në ishullin Utoya të Norvegjisë.
Para pak ditësh vetë Bajrushi e kishte dërguar të bijën e vetme, Lejlën, tek një shoqe e saj norvegjeze me të cilën dhe në shoqërim të së ëmës së saj do të shkonin në drejtim të Utoyas për të marrë pjesë në kampingun veror të Partisë së Punës.
Por aq shumë është i shqetësuar nga zhdukja e së bijës sa ka harruar se cilën ditë e kishte përcjellë të bijën, shkruajnë mediat.