E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Kosovës vë nën kontroll pikën e kalimit kufitar në veri

26-07-2011 / Gazeta 55

BE: Sovraniteti të ushtrohet në gjithë Kosovën


Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi konfirmon se pikat doganore 1 dhe 31, janë nën kontrollin e Policisë së Kosovës. Ai ka thënë se tashmë qarkullimi i lirë i qytetarëve vazhdon normalisht, përveç për kamionët me mallra serbe.


Në anën tjetër, Millan Ivanoviç, e ka quajtur aksion të përgatitur mirë veprimin e Policisë së Kosovës, ndërkaq, sipas tij, reagimi i serbëve lokal është legjitim. Vendkalimet kufitare 1 dhe 31, të cilat gjenden në veriun e Kosovës, tashmë janë marrë dhe janë futur nën kontroll nga forcat e rendit të Republikës së Kosovës. Këtë e ka konfirmuar Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se tashmë po zbatohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, me çka po bëhet bllokimi i hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, transmeton REL.


Mbrëmë, Policia e Kosovës e kishte ndërmarrë aksionin për futjen nën kontroll të këtyre pikave doganore dhe kishte marrë menjëherë nën vendkalimin kufitar 31, në Bërnjak.


Ministri Rexhepi ka bërë të ditur se gjatë aksionit, një polic është plagosur nga një lëndë plasëse. Ai ka folur edhe për disa lëndime tjera më të vogla të policëve të shkaktuara nga hedhja e xhamave dhe gurëve prej anës së serbëve lokalë. Rexhepi ka thënë se merr parasysh peshën e aksionit, dëmi është minimal.


Njësitë speciale të policisë ishin penguar që të merrnin nën kontroll vendkalimin kufitar 1 në Jarinje për shkak të bllokadës së serbëve lokal. Por, ministri Rexhepi, thotë se edhe kjo pikë është vënë nën kontroll të policisë së Kosovës, ndërkaq, për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në këtë pjesë të vendit, pas reagimeve të serbëve lokal, po ndihmojnë edhe forcat e KFOR-it. “Atë kanë pasur qëllimin për pikën 1, gjatë natës.


Mirëpo, atje ka edhe trupa të KFOR-it që janë për çdo eventualitet, në pikën 1 dhe 31”, thotë Rexhepi. Ministri Rexhepi ka theksuar se vendkalimet kufitare 1 dhe 31 kanë vazhduar punën sot, por duke respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë për qarkullimin e mallrave. “Normalisht që vazhdon qarkullimi i lirë i qytetarëve. Por, kamionët dhe mallrat nga Serbia nuk lejohen të hyjnë. Po respektohet vendimi i qeverisë”, bën të ditur Rexhepi.


Në anën tjetër, ndaj aksionit të policisë së Kosovës, përmes së cilit është marrë kontrolli në vendkalimet kufitare 1 dhe 31, kanë reaguar politikanët serbë në veri të Kosovës. Millan Ivanoviç, nga Këshilli Kombëtar Serb, thotë se aksionet e policisë së Kosovës shpërfaqin, sipas tij, politikat e Qeverisë së Kosovës kundër serbëve. Ai thotë se Qeveria e Kosovës po bën veprime të njëanshme gjatë kohës kur po mbahet dialogu, gjë që i shkel principet e vet dialogut. “Në momentin kur po bëhen bisedimet nën organizimin e Bashkimit Evropian, në anën tjetër institucionet e shqiptarëve po demonstrojnë gjaknxehtësi, njëanshmëri dhe po përpiqen që ta bëjnë integrimin e dhunshëm të territorit verior të Kosovës, ku serbët janë shumicë. Në këtë mënyrë, përmes ndihmës së mentorëve të tyre, po përpiqen ta rrumbullakojnë shtetësinë e tyre”, thekson Ivanoviç, duke shtuar se është e dukshme që aksioni i policisë së Kosovës ka qenë mirë i përgatitur.


Ai gjithashtu thotë se reagimi i banorëve lokalë serb ndaj aksionit të policisë së Kosovës ishte legjitim. “Gjithsesi se kjo është një provokim i qartë. Përmes tubimit spontan, serbët kanë treguar se nuk dëshirojnë që t’ju imponohen institucionet e Kosovës, nuk e dëshirojnë këtë shtet të shqiptarëve dhe nuk dëshirojnë që kushdo t’i ndajë nga pjesa tjetër e Serbisë”, thotë ai.


Ndryshe, Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar se prania e njësive speciale të policisë së Kosovës në veri të vendit do të vazhdojë, siç është thënë, për aq sa do të jetë e nevojshme dhe derisa të vendosen doganierët.


Shkëmbim zjarri në Mitrovicë, plagoset efektivi i policisë 


Policia e Kosovës ka njoftuar se në pjesën veriore të Kosovës, afër fshatit Zubce, ka pasur shkëmbim zjarri në mes të policisë dhe serbëve lokalë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se në këtë shkëmbim zjarri ka pasur të plagosur. “Në një shkëmbim zjarri është plagosur rëndë një pjesëtar i Policisë së Kosovës”- ka thënë Sadriu. Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi konfirmoi se situata është e qetë falë punës profesionale të Policisë së Kosovës, të cilët kanë pasur për qëllim realizimin e aksionit dhe shtrirjen e sovranitetit pa lënduar asnjë qytetarë. Ai tha se ky është një hap tejet i rëndësishëm për shtrirjen e sovranitetit, ndërsa bëri të ditur se do të vazhdojnë edhe veprimet tjera për vendosjen e ligjshmërisë. Në Kosovë mediat raportojnë se një efektiv policie është plagosur mbrëmë gjatë natës në përpjekjet që dolën me sukses për vendosjen e kontrollit në portën nr.1.


BE kundërshton aksionin, por shprehet se sovraniteti duhet të ushtrohet në të gjithë Kosovën


Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj aksionit të Policisë së Kosovës i marr me urdhër të qeverisë. Ajo që ndodhi dhe po vazhdon të ndodhë në Mitrovicë për shefen e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Caterine Ashton nuk është diçka e mirë. Zëdhënësja e saj Maja Kocijançic, në një intervistë për radion Evropa e Lirë ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të ndërmarrë aksionin në veri të vendit. “Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim”- ka thënë Kocijanciq. Ajo ka ripërsëritur se çështja e vulave dhe tregtisë duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve. Zëdhënësja e Ashtonin ritheksoi se Bashkimi Evropian është i mendimit se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm. Fjalët e saj i ka përsëritur edhe Përfaqësuesit Special i BE-së për Kosovën, Fernando Gentilini i cili ka deklaruar se operacioni i kryer mbrëmë nga autoritetet e Kosovës nuk ishte i dobishëm i cili po ashta ka kërkuar kthimin prapa të njësive speciale të Kosovës. EULEX-i është distancuar nga ngjarjet në veri të Mitrovicës duke thënë se ky mision dhe BE-ja nuk kanë qenë pjesë e tij. Ndërsa komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler ka bërë thirrje që të mos ketë eskalim të dhunës, dhe që të tregohet maturi, sepse, sipas tij, KFOR-i është i gatshëm të veprojë për të ndaluar dhunën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›