E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha mashtroi bujqit në fushatë

Socialistët kanë akuzuar qeverinë se ka mashtruar elektoratin në fushatën zgjedhore të 28 qershorit, duke dhënë premtime boshe dhe kryesisht popullsinë së fshatit e cila votoi më shumë për Partinë Demokratike. Nënsekretari i programit në PS, Ervin Bushati, deklaroi dje se buxheti 2010 nxjerr zbuluar premtimet boshe të Berishës për bujqësinë. Sipas Bushatit, "qeveria i jep bujqësisë në fshat 42 herë më pak se sa kontributi real që ajo sjell në ekonominë tonë. Bujqësia është sot 1/5 e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, por merr vetëm gjysmë për qind në projektbuxhetin për vitin 2010 të paracaktuar për Ministrinë e Bujqësisë. Është faji i Sali Berishës që politikat ekonomike në bujqësi janë tepër të pafuqishme dhe pa fondet e duhura për të ndryshuar jetën e vështirë në fshat". Zyrtari i selisë rozë, duke krahasuar të ardhurat në buxhet që shpërndahen për fshatin, deklaroi se "bujqësia e mbetet sërish ‘liliput‘ nën ‘vizionin kolosal‘ të zotit Berisha, i cili merret vetëm me vepra të mëdha dhe harron ‘realitetin e vogël‘ të familjeve shqiptare në fshat.

Në projektbuxhetin e vitit 2010, qeveria ‘Berisha‘ ka përcaktuar vetëm investime minimale për gjysmën e familjeve shqiptare që mbijetojnë në fshat dhe të vetmin mjet jetese kanë aktivitetin bujqësor". Sipas socialistëve, qeveria është neglizhente për bujqësinë, se vështirësitë ekonomike në investime, infrastruktura tërësisht e mangët dhe një treg bujqësor kaotik, e bëjnë të pamundur zhvillimin normal të një aktiviteti rural fitimprurës për familjet në fshat. "PS-ja denoncon premtimet boshe të qeverisë për fonde dhe strategji pa fund për zhvillimin e ekonomisë bujqësore në zonat rurale. Gjendja ekonomike dramatike në fshat nuk ndryshon dot, po nuk ndryshoi mentaliteti qeverisës dhe përkujdesja reale për gjysmën e familjeve shqiptare në vend", theksoi nënsekretari për programin e PS-së, Ervin Bushati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›