E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malltezi: Taçi jo klient i studios sime ligjore. Pse e refuzova Bazen

Argita Malltezi hedh poshtë faktin se Rezart Taçi është klient i studios së saj ligjore. Duke iu referuar shkrimit të botuar në gazetën "Tema", vajza e Kryeministrit Berisha del sërish në skenë për të mohuar përmbajtjen e tij, ku e përditshmja "Tema" bënte me dije se biznesmeni Rezart Taçi ishte klient i studios së saj ligjore të këshillimit. Në deklaratën e saj, juristja Malltezi thekson se biznesmeni Rezart Taçi nuk është klient i saj dhe më pas bën me dije edhe arsyet që e kanë çuar atë për të refuzuar Mero Bazen të bëhej klient i studios që ajo drejton. Duke iu referuar çështjes "Taçi" dhe deklaratave të bëra në emër të saj, Malltezi tregohet e hapur për të sqaruar cilindo që pretendon të kundërtën e asaj që ajo thotë. "Sqaroj më përgjegjësi të plotë se Rezart Taçi në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk ka qenë klient i studios sime. Jam e hapur t‘i përgjigjem çdokujt që pretendon se ka prova për të kundërtën", thotë juristja Malltezi. Më pas, vajza e Kryeministrit sqaron gjithashtu edhe raportet me gazetarin Mero Bazen. "Në fakt, e vërteta është se Mero Baze ka qenë klient i studios sime deri në kohën kur studioja i refuzoi të përpilonte sipas kërkesave të tij një praktikë për rimarrjen pa shpërblim të gazetës ‘Tema‘, të cilën ai më parë e kishte shitur me një çmim qindra milionësh", thotë ajo. Në vazhdim të deklaratës së saj, Malltezi shton se "kur ne i bëmë të qartë se një praktikë e tillë binte erë pastrimi parash, zoti Baze vendosi të mos ishte më klient i studios sonë dhe nisi serinë e tij të shpifjeve". Duke përgënjeshtruar shkrimin e ditës së djeshme në gazetën "Tema", ajo bën me dije se "në fletushkën personale "Tema", pronari dhe gazetari i saj Mero Baze vijoi me shpifjen e radhës, sipas së cilës Rezart Taçi ka qenë klient i studios sime ligjore". Por në fund të deklaratës së saj, juristja Malltezi sqaron se dënon ashpër dhunën ndaj cilitdo gazetar, duke e cilësuar si një akt që lëndon mbarë shoqërinë. "Duke qenë e detyruar të bëj këtë përgënjeshtrim, gjej rastin të shpreh keqardhjen e thellë dhe t‘i uroj shërim zotit Baze, si dhe të dënoj ashpër dhunën ndaj tij dhe cilitdo gazetari tjetër si një akt absolutisht të papranueshëm dhe që lëndon mbarë shoqërinë", përfundon deklarata e Malltezit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›