E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoritetet amerikane ashpërsojnë kontrollin

Qeveria e SHBA-së ka miratuar masa të reja të sigurisë të kontrollit të udhëtarëve nga 14 shtete të botës, të cilët hyjnë në territorin amerikan, kanë njoftuar mediet amerikane.

Masat e sigurisë janë ashpërsuar, pasi që shtetasi i Nigerisë, Umar Faruk Abdullmutallab, u padit javën e kaluar nën akuzat se ditën e Kërshëndellave ka tentuar të hedhë në ajër një aeroplan, i cili po ateronte në Detroit.

Shërbimi për sigurinë e transportit njoftoi se të gjithë individët, të cilët udhëtojnë për në SHBA nga, apo nëpërmjet shteteve që sponzorojnë terrorizmin, do t’i nënshtrohen një kontrolli shtesë.

Në listën e SHBA-së të shteteve që sponzorojnë terrorizmin gjenden Kuba, Irani, Sudani dhe Siria, por kontrollit më të ashpër do t’i nënshtrohen edhe udhëtarët nga Afganistani, Algjeria, Iraku, Libia, Libani, Nigeria, Pakistani, Arabia Saudite, Somalia dhe Jemeni.

Shtëpia e Bardhë ka pranuar se ka pasur ca mangësi sa i përket shpërndarjes të të dhënave informative, të cilat kanë nënvizuar radikalizmin e qëndrimeve të Abdullmutallabit, por John Brenan, i cili po heton këtë rast për Shtëpinë e Bardhë, ka theksuar se nuk ka pasur informata për atë se ai kishte planifikuar një sulm me bombë kundër një aeroplani.

Në ndërkohë, masat e sigurisë janë shtuar edhe në aeroportet e Europës dhe ato të Nigerisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›