E Shtunë, 31 Tetor 2026

Washingtoni kërkon zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez

Washingtoni po tenton të imponojë planin për rifillimin e negociatave paqësore mes Izraelit dhe palestinezëve, i cili parasheh arritjen e marrëveshjes përfundimtare brenda dy viteve dhe arritjen e pajtimit për kufijtë e përhershëm brenda nëntë muajve, ka njoftuar sot një gazetë izraelite.

Sipas planit, izraelitët dhe palestinezët do të fillojnë menjëherë negociatat për statusin përfundimtar, të cilat u suspenduan gjatë luftës së vitit të kaluar në Gazë, njoftoi e përditshmja Maariv, duke cituar disa burime anonime.

Ky raport fillimisht nuk u komentua nga zyrtarët izraelitë apo amerikanë. Palestinezët kanë kërkuar suspendimin e plotë të aktiviteteve nëpër kolonitë izraelite, para se të kthehen në negociata.

Sipas planit amerikan, dy palët fillimisht do ta diskutojnë çështjen e kufijve të përhershëm, me një afat prej nëntë muajve për të arritur marrëveshjen, theksoi Maariv.

Ideja është që marrëveshja për kufijtë të arrihet para skadimit të moratoriumit të Izraelit për ndërtimin e kolonive të reja në Bregun Perëndimor, në mënyrë që Izraeli të fillojë ndërtimet vetëm në kolonitë, të cilat në bazë të marrëveshjen përfundimtare do të mbesin në territorin e Izraelit.

“Pasi të arrihet marrëveshja për kufijtë, palët do të fillojnë diskutimin për çështjet tjera kyçe: Jerusalemin dhe refugjatët”, shtoi Maariv.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›