Planet bërthamore të Obamës përçajnë administratën
Me synimin e tij që të reduktojë arsenalin bërthamor të vendit, presidenti amerikan, Barack Obama, po hasë në një rezistencë të madhe edhe në radhët administratës së tij.
Debati i brendshëm në radhët e qeverisë amerikane për planin e fshehtë për reduktimin e armëve bërthamore ka hyrë në një fazë mjaft të nxehtë, njoftoi e përditshmja amerikane “Los Angeles Times”.
Bashkëpunëtorë të ministrisë së mbrojtjes dhe ata nga degët tjera të qeverisë si duket po e kundërshtojnë këtë synim. Një bashkëpunëtor i Pentagonit ka theksuar se tema e çarmatosjes bërthamore ka nxitur një debat mjaft të gjallë.
Duke pasur parasysh kundërshtimet brenda qeverisë, Shtëpia e Bardhë ka shtuar trysninë ndaj Pentagonit, i cili është përgjegjës për hartimin e planit për reduktimin e armëve bërthamore.
Ekipi i Obamës ka kërkuar që gjatë hartimit të planit të merret parasysh edhe kërkesa e presidentit, për ndryshimin e strategjisë ushtarake të SHBA-së, por bashkëpunëtorët e Pentagonit dhe të qeverisë kanë shprehur brengën se plani shkon më larg se sa duhet.
Në prill të vitit të kaluar, gjatë fjalimit që mbajti në Pragë, Obama shpalosi vizionin e tij për një botë pa armë bërthamore.
Aktualisht, SHBA-ja dhe Rusia janë duke zhvilluar negociata për marrëveshjen, e cila do të zëvendësonte marrëveshjen START për reduktim të armatimit bërthamor, e cila ka skaduar më 5 dhjetor. Kjo marrëveshje, e nënshkruar në vitin 1991, është cilësuar si bazë për kontrollin e armatimit.