E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoritetet harrojnë magazinën e arsenikut, shtohet rreziku

Arseniku i depozituar në ambientet e ish-uzinës së plehrave kimike në Fier po degradon dhe është kthyer në një shqetësim prezent për komunitetin. Alarmi për të vjen edhe nga specialistë, të cilët pohojnë për "Shqip" se shpërbërja e thasëve ku është vendosur helmi po rrit nivelin e ndotjes në zonën pranë ish-uzinës, që njihet me emrin Azotiku, si dhe për gjithë banorët e qytetit të Fierit. Kushtet e godinës në të cilën është vendosur sasia prej 850 metrash kub arsenik nuk janë të favorshme për ruajtjen e tij dhe thasët kanë pësuar dëmtimet, duke lejuar lëndën kimike, mjaft e rrezikshme, të shpërndahet në të gjithë territorin. Ndërsa nga dita në ditë arseniku po mbulon të gjithë sipërfaqen e tokës pranë godinës së rrënuar ku është vendosur, institucionet e mbrojtjes së mjedisit në Fier, si dhe prefektura deklarojnë se "jemi në pritje të një projekti të ri për sistemimin e arsenikut".

Në media është folur me dhjetëra herë për rrezikshmërinë e arsenikut, që dikur përdorej për tri kullat e larta në Azotikun e Fierit. Pas shumë tratativash, firma italiane "Selca" mori përsipër përpunimin e arsenikut dhe kthimin e tij nga gjendje e lëngët në të ngurtë dhe largimin nga ambientet e Azotikut. Një pjesë e këtij procesi u realizua, pasi lënda kimike, nga e lëngët u kthye në të ngurtë dhe u ambalazhua në thasë, që janë të magazinuara në një ndërtesë. Por kjo ndërtesë nuk e ruan dot lëndën e rrezikshme nga faktorët atmosferikë. Largimi i arsenikut nuk u realizua nga firma italiane dhe aktualisht askush nuk po merret më me këtë punë. Ndërkohë, thasët me arsenik të ngurtësuar ndodhen ende në këtë magazinë pa kushte, ku lëngu që del prej thasëve është shpërndarë në një sipërfaqe të madhe. Sipas inxhinierit të kimisë industriale, Petraq Kalo, i cili ka 35 vjet punë në këtë profesion, lënia e arsenikut në këto kushte është shumë e rrezikshme, pasi kushdo që i afrohet magazinës mund të thithë avujt e arsenikut, apo të prekë padashje diçka dhe mund të gjejë vdekje të ngadalshme. Sasia prej 830 metrash kub arsenik lëng, që tashmë është e ngurtësuar, ndodhet mes lagështirës dhe paraqet një rrezik shumë të madh për njerëzit. Edhe pse punonjësit e mbetur të ndërmarrjes shtetërore e kanë ngritur zërin për largimin sa më parë të tij, tashmë firma "Selca" nuk ka zyra në Fier dhe pritet që një firmë finlandeze të ndërtojë një Landfill brenda territorit të Azotikut, ku do të groposet sasia e arsenikut.

Ndërkohë, gjatë një kontrolli në ambientet e ndërmarrjes është konstatuar se aty ndodhen sasi të mëdha reagjentësh të tjerë kimikë, të cilët dikur kanë shërbyer për reaksione kimike në laboratorin e kësaj ndërmarrjeje.

Inxhinieri Kalo thotë se "helmet janë shumë të rrezikshme. Një pjesë e tyre janë shitur prej shtetit e një pjesë janë shitur në mënyrë të kundërligjshme prej punonjësve ndër vite. Kjo sasi e mbetur e tyre paraqet rrezikshmëri të lartë".

Por, në ambientet e Azotikut ka edhe sasi të mëdha helmesh që nuk ruhen. Specialistët tregojnë se interesimi për to ka vite që ka munguar, ndërkohë që një kontroll për gjendjen e tyre, si dhe mënyrën e depozituar e asaj të ruajtjes nuk është bërë prej kohësh. Këto lëndë helmuese janë tashmë në terren të hapur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›