Të zgjedhurit vendorë, koha për të dhënë llogari
Një projekt i Forumit të Mendimit të Lirë, i realizuar me pjesëmarrësit e programeve të shkëmbimit të ambasadës amerikane, ka nisur prej kohësh zbatimin e tij në dy njësi vendore të Qarkut të Elbasanit. Dje në mesditë ka startuar takimi i zgjeruar në formën e llogaridhënies së kryetarit të Komunës së Bradasheshit para komunitetit të tij. Takimi ballafaques është zhvilluar për mbi dy orë në sallën qendrore të mbledhjes së kësaj komune, ku kanë asistuar përfaqësues të shumtë nga të gjitha këshillat e 12 fshatrave të zonës, intelektualë e banorë të thjeshtë, mësues, mjekë e biznesmenë. Drejtuesi i këtij forumi, gazetari Mentor Kikia, bëri hapjen e të parit takim të këtij lloji në Elbasan, duke ia dhënë më pas fjalën kryetarit të komunës, Sabri Sollaku, të referonte para të pranishmëve arritjet dhe mosarritjet e vitit të parë të drejtimit të kësaj komune, ballafaqimet me premtimet e tij, si dhe duke bërë transparente të gjitha investimet nga buxheti i shtetit e të ardhurat e komunës, si dhe planet për investime në vitet e ardhshme. Më shumë hapësirë për pyetje dhe diskutime u është dhënë të pranishmëve, të cilët kanë vlerësuar objektivisht punën e mirë të kryetarit të zgjedhur, por nuk kanë munguar vërejtjet e tyre ndaj qytetarit të parë të komunës, si dhe sugjerimet për përdorimin e shpërndarjen e investimeve në vitet e ardhshme. Shumë nga ata që e morën fjalën kanë kërkuar që komuna dhe kryetari i saj të bëjnë më tepër për zbutjen e ndotjes në mjedis dhe meqenëse komuna ndodhet në zonën industriale të Metalurgjikut kanë kërkuar garanci për mosinfektimin nga një sasi e konsiderueshme helmesh të bllokuara në një magazinë të betontë. Ata kanë kërkuar rrugë dhe kanalizime, ujësjellës të rinj dhe shërbime në sektorin arsimor e shëndetësor. Kohë më parë, bashkëpunëtorë të Forumit të Mendimit të Lirë kanë realizuar një sondazh, ku mbi 500 banorë të zonave dhe niveleve të ndryshme kanë dhënë mendimet e tyre për punën e kryetarit të komunës. Sipas drejtuesit të forumit, Kikia, një takim i tillë është përcaktuar të organizohet në mesin e javës së ardhshme në Bashkinë e Elbasanit, ndërsa më pas do të ketë takime të njëjta në Bashkinë e Pogradecit dhe Komunën e Buçmasit të po këtij rrethi.