E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zona D, minatorët kundërshtojnë urdhrin e ministrit Ruli

Urdhri i ministrit Ruli për ndërprerjen e punës në zonën qendrore dhe jugore (Zona D) të minierës së Bulqizës, ka hasur në kundërshtimin e fortë të minatorëve që punojnë në këtë zonë. 74 minatorë të firmës ruso-austriake, që menaxhon aktualisht minierën, të cilët punojnë në këtë zonë janë mbledhur gjatë ditës së djeshme para galerive të punës, duke protestuar kundër urdhrit të ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, për ndërprerjen e punës në galeritë e kësaj zone, për efekt të sigurisë në to.

Veç minatorëve të firmës së huaj koncesionare ruso-austriake, ky urdhër kundërshtohet edhe nga 6 firma të tjera private, që ushtrojnë aktivitetin e tyre të nxjerrjes së kromit në këtë zonë. Urdhri i ministrit Ruli, nr. 223, datë 31.08.2008, "Për ngritjen e grupit të punës për mbikëqyrjen e aktivitetit minerar në zonën qendrore dhe jugore të minierës së Bulqizës, ndikimin e aktivitetit minerar privat, brenda dhe rrotull saj dhe përcaktimin e masave të nevojshme për shmangien e rrezikut nga shembjet". Me anë të urdhrit ngarkohej grupi i punës të hartonte një studim të plotë për zonën jugore dhe qendrore të minierës, ku do të përcaktoheshin saktë zonat e rrezikshme nga influenca e shfrytëzimit dhe rreziqet e futjes së ujërave të sipërfaqes në punimet e minierës veriore dhe me angazhimin e drejtorisë së minierës për sistemimin në punë të 74 minatorëve të Zonës D, në galeritë e pjesës veriore të saj. Pas tij ndaluan edhe protestat e 660 minatorëve, në mbështetje të kolegëve të tyre. Por, nëse sindikata e minatorëve ra dakord për ndalimin e protestës, 74 minatorët e Zonës D, duket se nuk janë dakord për të braktisur galeritë, ku edhe kanë punuar prej vitesh. Sot rreth 30 nga këta minatorë, përfshirë edhe 4 gra, kanë protestuar fuqishëm para galerive të punës, kundër ministrit Ruli dhe drejtuesve të Sindikatës së Minierës, që, sipas tyre, i kanë tradhtuar interesat e minatorëve. "Kam filluar punën kur kam qenë vetëm 17 vjeç", thotë Adem Gjoka, një nga minatorët protestues. "Nuk mund të besoj se rrezikohemi, pasi po qe se vërtet ka rrezik shembje, për privatin e palicencuar që vazhdon të punojë, përse nuk ka rrezik?" Kështu, 6 kompani private, plus një, atë ruso-austriake, të cilat janë të licencuara, nuk lejohen të punojnë për kushte të sigurisë në punë, ndërsa të tjerë privatë të palicencuar, thonë minatorët, punojnë krejt normalisht, pa u hyrë ferrë në këmbë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›