E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga e biznesmenit grek u kalon Krimeve të Rënda

Biznesmeni grek, që dy ditë më parë u kap nga policia kufitare e Kakavijës me 4 kg lëndë narkotike, po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Kështu është shprehur për median zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullai, i cili publikoi edhe foton e të arrestuarit. Sipas tij, 40-vjeçari Jorgos Papadhaqis u transportua në orët e para të ditës së djeshme në Tiranë, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar procedurat penale ndaj tij nën akuzën "trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike". Zëdhënësi Mullai bëri të ditur se shtetasi grek, Papadhaqis, ndodhej prej disa ditësh në Gjirokastër, me qëllim çeljen e një fabrike për prodhimin e kartëpecetave. Mëngjesin e dy ditëve më parë, policia shqiptare e Kakavijës zbuloi rreth 4 kg lëndë narkotike gjatë një kontrolli të ushtruar në automjetit tip "Honda", me targa YIY 2654, që drejtohej nga Jorgos Papadhaqis, i cili po udhëtonte drejt Greqisë. Droga u gjet e fshehur në sediljen e pasme të makinës dhe nga hetimet paraprake kishte si destinacion Greqinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›