E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim zyrtarëve të Sigurimeve, abuzuan me 200 raste pensionesh

Zbulohet një skandal në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, ku 200 persona kanë përfituar pensione të paligjshme për tetë vite radhazi. Kjo ka vënë në epiqendër të një hetimi intensiv ish-krerët e kësaj drejtorie, pasi dyshohen se ata kanë kryer afera korruptive me njerëz të ndryshëm për të përfituar pensione të parakohshme. Pjesa dërmuese e përfituesve kishin falsifikuar dokumente sikur punonin në minierën e Kërrabës, ndërkohë që 11 prej tyre janë dërguar për procedim penal. Gjithashtu, grupi hetimor ka sekuestruar dosjet e 200 rasteve, që i ka marrë në shqyrtim për dokumentimin e plotë të këtij hetimi masiv.

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se ka filluar një hetim intensiv për ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, si dhe janë sekuestruar 200 dosje të personave të ndryshëm, pasi kanë përfituar në mënyrë të padrejtë pension të parakohshëm. "Pas shtrirjes së një hetimi disa mujor për veprën penale të "mashtrimit nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve" dhe "vënie në përdorim të dokumenteve të falsifikuara", nga seksioni Kundër Korrupsionit, në Sektorin e Krimit Ekonomiko-Financiar pranë Policisë së Tiranës, iu dërguan materialet hetimore për fillimin e çështjes penale mbi bazën e posedimit dhe grumbullimit të saktë të informacioneve, për disa shtetas, sepse dyshohen se kanë konsumuar këtë vepër penale, përgjatë periudhës kohore nga viti 2000 e në vazhdim", deklaroi Policia e Tiranës. Policia shtoi se edhe persona të tjerë po hetohen në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që 11 prej tyre janë dërguar në prokurori. "Ata janë Petrit Stafa, 51 vjeç, Xhavit Bekteshi, 58 vjeç, Bilal Qoku, 45 vjeç, Lutfi Banaj, 47 vjeç, Ylli Lika, 42 vjeç, Shefki Shkoza, 45 vjeç, Bajram Alimadhi, 45 vjeç, Maliq Luli, 50 vjeç, Shefki Troski, 58 vjeç, Skënder Varroti, 47 vjeç dhe Skënder Cicollari, 53 vjeç, të gjithë banues në Tiranë", detajoi grupi hetimor në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Sipas informacioneve të këtij grupi, falë marrjes së informacioneve operative dhe grumbullimit të tyre, u mundësua sekuestrimi i rreth 200 dosjeve të shtetasve në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, të cilët përfitonin në mënyrë të paligjshme pension të parakohshëm dhe pension pleqërie, duke plotësuar dokumente të falsifikuara për posedimin e pensionit. Uniformat blu thanë se dyshohet se këta shtetas, të ardhur nga rrethe të vendit dhe nga Tirana, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, kanë përfituar pension të pamerituar, duke u paraqitur si ish-punonjës të minierës së Kërrabës, e duke e përfituar këtë pension qysh nga viti 2000. Shifra e përfitimit llogaritet në shifra shumë të larta, duke i sjellë shtetit dëme të konsiderueshme. Po ashtu, pas kryerjes së një investigimi rezultoi se personat e mësipërm për nxjerrjen e dokumenteve të falsifikuara, për të përfituar pension, janë ndihmuar kundrejt shumave të parave prej 50 mijë lekësh nga zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore dhe specialistët e kuadrit në atë kohë. Gjithashtu, të përfshirë janë edhe specialistë të kuadrit pranë ish-minierës së Kërrabës. Policia tha gjithashtu se gjatë shtrirjes së një hetimit të gjerë nga ky seksion, duke bashkëpunuar me Prokurorinë e Tiranës, vazhdon hetimi në drejtim të dokumentimit ligjor të veprimtarisë kriminale të ish-zyrtarëve të mësipërm, pasi dyshohet se ka edhe shumë raste të tjera të përfitimit të paligjshëm të pensioneve si ish-punonjës të minierës Kërrabë dhe Ibë.

Personat e dërguar

për ndjekje penale

Petrit Ramazan Stafa, 51 vjeç, banues në Kërrabë

Xhavit Baftjar Bekteshi, 58 vjeç, banues në Ibë, Komuna Berzhitë

Bilal Hasan Qoku, 45 vjeç, banues në Kërrabë

Lutfi Sulo Banaj, 47 vjeç, banues në Ibë, Komuna Berzhitë

Ylli Isuf Lika, 42 vjeç, banues në banues në Ibë

Shefki Reshit Shkoza, 45 vjeç, banues në fshatin Surrelë

Bajram Sami Alimadhi, 45 vjeç, banues në Sauk

Maliq Luli, 50 vjeç, banues në Tiranë

Shefki Troski, 58 vjeç, banues në Tiranë

Skënder Varroti, 47 vjeç, banues në Tiranë

Skënder Cicollari, 53 vjeç, banues në Tiranë

Për tetë vite radhazi, 200 vetë përfituan nga 6.3 mijë lekë në muaj

Pensionet, dëmi i shkaktuar

arrin vlerën 120 milionë lekë

Skandali i abuzimeve me pensionet e parakohshme dyshohet se është i përmasave më të mëdha, pavarësisht se vlera arrin në shifra marramendëse, duke pasur parasysh se ky skandal ka vijuar për tetë vite radhazi. Nga informacionet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore mësohet se vlera e dëmit të shkaktuar arrin në 120 milionë lekë. Sipas të dhënave, profesioni i punëtorëve të minierave hyn në ato profesione me trajtim të veçantë për shkak të vështirësisë. Megjithatë, pa hyrë në detaje, specialistët tregojnë se vlera minimale për një pension të parakohshëm është 6 mijë e treqind lekë për person. Por, duke bërë përllogaritjet për 200 raste abuzive, rezulton se në një muaj janë dhënë 1 milionë e 260 mijë lekë nga shteti shqiptar, që janë paguar pensione të parakohshme për këta persona. Ndërkohë, që për një vit, ose e thënë ndryshe për 12 muaj, shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm minimal prej 15 milionë e 120 mijë lekësh. Por, grupi hetimor ka deklaruar se kjo vjedhje e hapur, ku funksionarë të Sigurimeve Shoqërore kanë abuzuar me detyrën, ndërkohë që personat përfitues kanë falsifikuar dokumente, ka zgjatur për tetë vite radhazi. Kështu, shuma e lartpërmendur shumëfishohet, duke e çuar këtë dëm në 120 milionë e 960 mijë lekë. Sipas policisë, rasti i abuzimeve është zbuluar gjatë një hetimi të shtrirë në disa muaj që nga denoncimi i parë. Por, me kalimin e kohës, uniformat blu kanë vënë re se abuzimet ishin bërë në masë, duke vënë në dyshim punën e ish-funksionarëve dhe funksionarëve të Drejtorisë Rajonale të Tiranës për Sigurimet Shoqërore. Kështu, policia ka vijuar punën e saj me mbledhjen e dëshmive të përfituesve të pensioneve, ku ka vënë re se të gjithë kishin përfituar ilegalisht, kundrejt një ryshfeti që kishin dhënë te funksionarët e asaj kohe. Policia tha se pas kryerjes së një investigimi rezultoi se personat e mësipërm paguanin shuma parash prej 50 mijë lekësh te zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për nxjerrjen e dokumenteve të falsifikuara, me qëllim që të përfitonin pension.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›