E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg për të akuzuarin si trafikant i makinave

Gjykata e Tiranës ka vendosur dje të lërë në burg Dali Cejkun, i cili u arrestua pak ditë më parë, pasi u kap me dokumente të falsifikuara makinash. 32-vjeçari, lindur në Kukës dhe banues në Domje, është paraqitur përpara gjykatësit të gatshëm për shqyrtimin e masës së sigurisë. Prokurori i çështjes pasi ka dhënë argumentet e tij lidhur me provat e paraqitura, ka kërkuar burg pa afat për të pandehurin, i cili duket se nuk ka bërë shumë përpjekje për ta bindur gjyqtarin për të kundërtën. Në këtë mënyrë, gjykata ka vendosur ta lërë në burg deri në përfundim të procesit hetimor dhe atij gjyqësor. Cejku u arrestua në flagrancë në rrugën "Irfan Tomini" në Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar "Saldimi i fundit". Policia e ndaloi atë ndërsa ishte duke drejtuar automjetin tip "Audi A6", me targa SH0097E, targa të cilat pas verifikimit të menjëhershëm rezultuan të një automjeti tjetër. Menjëherë pas ndalimit, policia ka ushtruar kontroll në banesën e 32-vjeçarit dhe ka arritur të gjejë aty edhe katër mjete, për të cilat dyshohet se janë trafikuar nga jashtë vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›