“Gomarët e kufirit” vijnë në Tiranë
Ditën e dytë të TIFF, në program janë planifikuar të shfaqen tre filma të gjatë. Në orën 17.00 do të shfaqet “Lufta mbaroi” i regjisorit Mitko Panov, në orën 19.00 “Gjurmë në rërë” dhe në orën 21.00 filmi i regjisorit kosovar Jeton Ahmetaj, “Gomarët e kufirit” me skenar të dramaturgut Jeton Neziraj. Praktikisht ky është edhe i vetmi film artistik shqiptar që konkurron në këtë edicion të tetë të TIFF-it. Në filmin e zhanrit komedi, që zgjat një orë e 45 minuta, luajnë disa prej emrave më të spikatur shqiptar të aktrimit si: Veton Osmani, Enver Petrovci, Bislim Muçaj, Shkumbin Istrefi, Bajrush Mjaku e Arta Muçaj. Filmi shoqëron tregimin e një mësuesi i cili në vitin 1968, gjatë kohës së komunizmit, zhvendoset nga ish-Jugosllavia në Shqipëri duke menduar se komunizmi ishte ideal. Por iluzioni i mësuesit shkatërrohet kur ai përballet me realitetin atje. Pas disa peripecive që gjatë xhirimeve, në premierën e Prishtinës, filmi pati disa kritika. Skenaristi dhe dramaturgu, Arian Krasniqi, i cili tha në mediat kosovare se e kishte lexuar skenarin para se të niste xhirimi i këtij filmi, shprehu bindjen se produkti final ka defekte në leximin regjisorial të skenarit. Ndërsa regjisori Jeton Budima, duke e konsideruar si interesante temën e filmit, e ka cilësuar modest realizimin e tij, si në interpretim, ashtu edhe në realizim e montazh. “Është më shumë projekt i realizuar brenda narracionit, ku përjashtohet dimensioni estetik”, ka thënë në mediat kosovare Budima, teksa ka shtuar se ky film u dedikohet shikuesve, por nuk është projekt i rëndësishëm për festivale. “Gomarët e kufirit” vjen për publikun e kryeqytetit.