Boateng-Robinjo-Ibra, Milani shkëputet, Roma i falet Huanit
Milani rikonfirmohet si ekipi për t’u mundur në kampionatin italian. Skuadra e Alegrit shkatërroi Bolonjën (0-3) dhe vazhdon kështu marshimin në krye të Serisë A me 36 pikë.
Kështu, kuqezinjtë nga Milano kanë gjashtë pikë më tepër se Lacio e Napoli dhe nëntë më shumë se bardhezinjtë nga Torino. Për ekipin e Maksimiliano Alegrit, tri pikët në fushën e Bolonjës janë po aq të thjeshtë sa edhe me Breshian fundjavën e shkuar. Në fakt, fitorja erdhi nga të njëjtët lojtarë dhe në të njëjtën mënyrë: Boateng, Robinjo e në fund Ibrahimoviç. Nëntë minuta pas fishkëllimës së parë të gjyqtarit, Boateng mposhti portierin Viviano, pas harkimit të saktë të Ibrës nga e majta e sulmit. Mesfushori ganez dha asistin për golin e dytë, të shënuar nga Robinjo në të 35-n. Në minutat e mbetura të pjesës së parë kishte kohë edhe për një traversë të goditur nga Zambrota. Më pas gjysma e dytë e lojës nisi nën “sundimin” e Ibrahimoviçit. I shërbyer në mënyrë të përkryer nga Pirlo, shtatlarti suedez mbylli përfundimisht llogaritë në minutën e 60-të. Vendasit e Malezanit kishin rastin më të mirë për të ngushtuar diferencën, por Abiati priti penalltinë e ekzekutuar dobët nga ana e kapitenit të Bolonjës, Marko di Vaio. Ajo e djeshmja ishte një paraqitje e shkëlqyer e ekipit kuqezi në të gjitha repartet, duke lëshuar një sinjal të qartë për rivalët. Ndërkohë që Romës i mjaftoi një gol i mbrojtësit Huan në minutën e 30-të për të mposhtur Barin në “Olimpico”, ndërkohë që më parë kapiteni Toti humbi një penallti. Kryeqytetasit u ngjitën kështu në kuotën e 26 pikëve, aq sa ka edhe Palermo. Skuadra e Delio Rosit mposhti dy ditë më parë me rezultatin e thellë 3-1 Parmën.
Nga ana tjetër, në veri, goli i Kordovës pas 13 minutash lojë rezultoi vendimtar për Breshian në përballjen me Sampdorian. Fitore që u jep frymëmarrje “dallëndysheve”, që gjithsesi mbeten pranë zonës së ftohtë të tabelës. Skuadra e Beretës (i cili zëvendësoi Iakinin) ka 15 pikë, aq sa Leçe. Këta të fundit morën dje një trepikësh me shumë vuajtje përballë Kievos në “Via del Mare”, me rezultatin 3-2. Ofere dhe Piati (dy herë) ishin autorët e golave për verdhekuqtë, ndërkohë që veronezëve nuk u mjaftoi Boljaçino dhe Mandeli. Në Sardenjë Kaljari nuk pati shumë probleme. Vendasit i shënuan tri herë Katanias në “Sant Elia”. Për skuadrën sarde i bën të gjitha Nene, autor i të tre golave në minutat 11’, 27’ dhe 71’. Ky sukses e ngjit ekipin e Donadonit në mesin e artë të tabelës, në kuotë të barabartë pikësh me Kievon (20).