Autoritetet italiane refuzuan vetem dy veta per mungese dokumentesh dhe parash
Dje kanë mbërritur në Portin Detar të Durrësit 12 të kthyerit e parë nga autoritetet policore italiane. Ka qenë trageti “Rigel” që operon në linjën Durrës-Bari-Durrës, nga i cili kanë zbarkuar në portin më të madh të vendit udhëtarët që nuk mundën të hyjnë në shtetin fqinj, shumica dërrmuese për shkak të problemeve të mëparshme gjatë qëndrimit në këtë vend. Burime nga policia kufitare e këtij porti bënë të ditur se 11 nga 12 të kthyerit kanë qenë në listën e personave të përjashtuar nga qëndrimi në shtetin fqinj (me espulso) për një periudhë pesëvjeçare. Ata nuk kanë mundur t’i shpëtojnë filtrit policor italian, ndërsa kishin menduar se liberalizimi do t’i zhvishte nga ndëshkimi i mëparshëm i qëndrimit në shtetin fqinj. Ndërkohë, vetëm për njërin nga personat e kthyer si shkak është përdorur mungesa e mjeteve financiare për të qëndruar në shtetin fqinj. Personi ka pasur vetëm 150 euro me vete dhe kjo nuk i ka bindur autoritetet e kufirit në Bari për të ngritur traun e kalimit. Burimet policore thanë se të tjera kthime mund të regjistrohen në orët e ditët në vazhdim, ndërsa bëjnë thirrje që qytetarët të tregohen të kujdesshëm në plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga ky proces, në mënyrë që udhëtimi i tyre të jetë i mbarë e pa probleme. Numri i të kthyerve konsiderohet jo problematik për Policinë e Durrësit, përkundrejt personave që kanë udhëtuar drejt Italisë me tragetet e linjës gjatë këtyre ditëve të para të hyrjes në fuqi të procesit.
Në ditën e tretë të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë, edhe në Portin e Vlorës janë kthyer nga pala italiane disa persona që tentuan të kalonin kufirin me pasaporta biometrike. Përveç një gruaje, e cila nuk kishte siguracion të shëndetit në udhëtim, të gjithë personat e kthyer kanë qenë më parë emigrantë në Itali dhe për arsye të ndryshme u është ndaluar hyrja për një periudhë të caktuar në territorin e këtij vendi.
Në dy ditë nga autoritetet kufitare të Brindisit janë kthyer gjithsej 13 persona, 12 prej të cilëve ishin shpallur më parë “non grata” në Itali. Të gjashtë personat e kthyer dje në Portin e Vlorës i përkisnin kësaj kategorie dhe sipas autoriteteve lokale të policisë kufitare, kjo nuk përbën asnjë problem për mbarëvajtjen e procesit të lëvizjes së lirë.
Pra, nga Porti i Vlorës drejt Italisë pa viza dhe pasaporta biometrike janë nisur gjithsej 214 qytetarë dhe prej tyre janë kthyer 13. Porti i Vlorës ka marrë masa për përballimin e fluksit, duke shtuar sportelet nga katër në tetë, por me këtë fluks që është deri më sot sportelet janë të panevojshme.
Ndërkohë, edhe ndër personat që kanë fluturuar për në Europë pa viza nuk është shënuar ndonjë numër shqetësues i të kthyerve. Autoritetet e policisë kufitare bëjnë të ditur se rastet e pakta të kthimeve të personave që kanë fluturuar nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, i përkasin kategorisë së ish-emigrantëve që kanë pasur probleme me drejtësinë e vendeve europiane ku kanë qëndruar. Raportohet gjithashtu, se shumica e atyre që kanë fluturuar pa viza për në Europë kanë pasur qëllime turistike.