Izolohen dhjetera fshatra nga Dukagjini ne Berat

Reshjet e dëborës, që u panë si ogur i mirë në shumicën e qyteteve të vendit, kanë shkaktuar probleme të rënda për banorët e zonave të thella malore që vuajnë izolimin dhe mungesën e energjisë elektrike. Reshjet e ditës së djeshme kanë izoluar një numër të madh fshatrash në Qarkun e Shkodrës, Durrësit e Beratit dhe ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen e atyre që ishin izoluar më parë në Dibër, Kukës e Pukë.
Burime të Prefekturës së Durrësit njoftuan dje për izolimin e rrugëve të disa fshatrave të thellë malorë në rrethin e Krujës, ku janë dërguar mjete dhe njerëz për të normalizuar situatën.
Ndërkohë, nga shtabi i emergjencave në Prefekturën e Shkodrës, ku ende nuk është normalizuar situata e përmbytjeve, njoftohet për probleme serioze nga reshjet e dëborës.
Gjithë Qarku i Shkodrës është përfshirë dje nga reshje të dendura dëbore, sidomos në zonat e thella malore. Situata më e vështirë raportohet në Malësinë e Madhe në Komunën e Kelmendit, ku disa fshatra si Vermoshi, Selca, Nikçi e Lëpusha janë tërësisht të izoluar nga dëbora. Rrugët rurale dhe rrugët nacionale të këtyre zonave janë krejtësisht të pakalueshme. Po në rrethin e Malësisë së Madhe është bllokuar rruga që lidh këtë rreth me Dukagjinin, në vendin e quajtur Qafa e Thores, ku trashësia e dëborës ka kaluar dy metër. Ndërkohë, bllokime fshatrash ka pasur dhe në disa zona të Malësisë së Shkodrës, në komunat Shosh dhe Shalë. Mjaft problematike paraqitet situata dhe në rrethin e Pukës, ku Komuna Iballë është tërësisht e izoluar, ndërsa shumë fshatra në Komunat Fierzë dhe Blerim janë izoluar dje, pasi rrugët janë bërë të pakalueshme nga dëbora.
Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë vështirësuar ndjeshëm jetesën e banorëve në zonat rurale të Qarkut të Dibrës. Të paktën nëntë komuna të thella malore, si dhe një numër shumë më i madh fshatrash, vazhdojnë të mbeten të izoluara si pasojë e bllokimit të rrugëve nga dëbora dhe ngricat. Ndërkohë, në ditën e djeshme është bllokuar për disa orë edhe rruga nacionale Peshkopi-Kukës, e cila nuk kalohej as me zinxhirë, pasi pati shembje në segmentin Draj-Reç.
Situata është problematike edhe në tri rrethet e Qarkut të Kukësit, ku katër komuna raportohen plotësisht të izoluara. Përveç bllokimit të rrugëve, në fshatrat e luginës së Valbonës në Tropojë dhe disa fshatra në rrethin e Hasit mungon energjia elektrike.
Por ndërsa për fshatrat malorë të veriut izolimi është shndërruar në normalitet, reshjet e dëborës kanë bërë që dje të bllokohen edhe pesë fshatra në rrethin e Beratit. Bëhet fjalë për pesë fshatra të Komunës Vërtop, banorët e të cilëve janë izoluar krejtësisht nga shembja e rrugëve, problem të cilit i janë shtuar dhe reshjet e borës. Në fshatrat Kapinovë, Drenovë, Tomor i Madh, Tomor i Vogël dhe Zgërbonjë, nuk mund të qarkullohet as me kafshë, pasi rrugët janë krejtësisht të shembura dhe të bllokuara nga bora.