Burrelsi i vrare ish-truproje e Presidentit Rexhep Meidani
Viktima e dy ditëve më parë, i ashtuquajtur si i forti i Burrelit, i njohur me emrin Halit Dedja, por që e kishte ndryshuar vitet e fundit mendohet se është ekzekutuar nga hasmi i tij, i liruar rreth një vit më parë nga burgu. Bëhet fjalë për një person që u përkiste rivalëve të tij, ndërkohë që hetimet kanë nxjerrë në pah se 45-vjeçari Dedja, vite më parë ka punuar në grupin e shoqërimit të Presidentit të asaj kohe, Rexhep Meidani. Sipas të dhënave nga policia, pas punës me hetimin e krimeve në polici, por kur u panë edhe dyshimet e para për implikim të tij në vrasje, ai kaloi në Gardën e Republikës. Në atë kohë, ai u caktua në degën e shoqërimit të personaliteteve dhe për pak kohë ka punuar në grupin e shoqërimit të Presidentit të Republikës. Bëhet fjalë për vitin 1999, kur President ishte Rexhep Meidani, ndërkohë që Halit Dedja, i njohur tashmë me emrin Donald Dedja, ka punuar si trupë shoqërimi edhe me disa ministra të kabinetit të atëhershëm qeveritar. Megjithatë, policia e kryeqytetit, e cila po heton vrasjen e tij, të ndodhur mëngjesin e dy ditëve më parë, pranë “Nesharakut”, mendon se aktiviteti i tij në Gardën e Republikës nuk ka lidhje me ekzekutimin.
Sipas të dhënave hetimore, të mbledhura gjatë 24 orëve të fundit, vrasja është bërë për hakmarrje. Dyshimet më të forta janë për një person me inicialet I. K., i cili është liruar rreth një vit më parë nga burgu, pasi ka qenë i dënuar për vepra të ndryshme penale. Madje, ky person banon në Tiranë dhe mund të jetë një nga ekzekutuesit e mundshëm të 45-vjeçarit. Gjithashtu, policia nuk ka lënë mënjanë edhe pistën e porositjes së vrasjes nga vëllezërit Doda, një prej të cilëve është në kërkim, ndërsa tjetri është arrestuar në Angli për llogari të drejtësisë shqiptare. Edhe me fisin Doda, Dedja mendohet se ka pasur hasmëri. Madje, fisi Doda, sipas policisë ka bashkëpunuar ngushtë me fisin Kola, që ka qenë një ndër hasmit e tjerë të familjes Dedja, nga e cila janë vrarë dy vëllezërit e Halitit dhe babai i tij. Për të dhënat e tjera hetimore, policia tha se ka marrë në pyetje edhe familjen e viktimës. Grupi hetimor ka kontaktuar me nënën dhe gruan e tij, ndërkohë që djali dhe vajza janë ende të mitur. Dy gratë e shtëpisë, kur janë vënë në dijeni për ngjarjen, janë tmerruar dhe nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë shumë të dhëna mbi 45-vjeçarin. Policia tha se ato nuk ishin në dijeni të ndonjë konflikti apo kërcënimi gjatë kohëve të fundit. Halit Dedja kishte hapur disa biznese, ku një prej tyre ishte shoqëri sigurimi privat. Madje, pas vrasjes me dy plumba pas koke, pranë dy makinave të tij, atij iu gjet në brez një pistoletë neuroparalizuese dhe në makinë një armë “Shot Gun”, por asnjërën prej tyre nuk ka mundur ta përdorë gjatë atentatit ndaj tij.