Bie vrulli i kontrolloreve te Kakavijes
Kthimi i shqiptarëve pa viza në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës ka pësuar një rënie të ndjeshme dje. Sipas burimeve nga policia kufitare shqiptare, kjo rënie e numrit të refuzimeve lidhet me ndërgjegjësimin e udhëtarëve për vështirësitë që do të hasin përballë kontrollorëve grekë. Ata që kanë kaluar dje janë kujdesur të kenë me vete të gjitha dokumentet që kërkojnë kufitarët e vendit fqinj, e megjithatë 70 veta nuk e kanë kaluar dot sinorin.
Ajo që ka shkaktuar shqetësim tek udhëtarët është se shumica e tyre janë pajisur me bileta vajtje-ardhje nga agjencitë e udhëtimit dhe ky shpenzim për ta ka rezultuar i kotë. Ndërkohë, shqetësimi tjetër për të kthyerit është pajisja pa përjashtim e një dokumenti të lëshuar nga policia lokale greke, që vërteton banimin e personit pritës, dokument ky, që sipas doganierëve grekë duhet të jetë me vulë të njomë. Por në kujtesën e lëshuar nga ana e policisë shqiptare, një kërkesë e tillë nuk ishte e cilësuar.
Kërkesat dhe kushtëzimet e kontrollorëve grekë, sipas të kthyerve, shpesh janë konfuze dhe të përsëritura pas çdo procedure të plotësuar nga udhëtarët shqiptarë. “Njëherë kërkohen 100 euro, ditën tjetër 50 euro, ç’të thotë njëri, nuk ta thotë tjetri, ndërkohë që në tarifat e publikuara për në Greqi udhëtari duhet të ketë vetëm 20 euro për çdo ditë qëndrimi. Kontrollorët grekë na poshtërojnë, na shajnë jo vetëm neve, por edhe qeverinë tonë. Kjo që ndodh nuk është ajo lëvizje e lirë që u është premtuar shqiptarëve. Im vëlla, të cilit iu refuzua kalimi nga Kakavija, kaloi nga Kapshtica për bukuri dhe erdhi këtu për të më pritur mua”, thotë 34-vjeçarja E. Gjeçi, nga qyteti i Lushnjës, e bllokuar prej tri ditësh në pikën Kakavijë.
Për shkak të situatës së krijuar, dje paradite shkoi në Pikën Kufitare të Kakavijës ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Spiro Ksera, i cili pati takime me autoritetet më të larta të kufirit të policisë shqiptare dhe greke.
Pas takimeve me drejtorin e kufirit dhe migracionit të Qarkut të Gjirokastrës dhe drejtorin e policisë kufitare greke, ministri i Ksera tha se “po monitorojmë punën e efektivave të policisë kufitare dhe emigracionit. Kemi vënë re se ka një bashkëpunim shumë të mirë të këtyre efektivave me palën greke”. Ndërkohë që i pyetur për rastet e kthimit të shtetasve shqiptarë që kanë tentuar të kalojnë me pasaporta biometrike, ai ka thënë: “Ka raste sporadike të kthimeve. Sot kam pasur një bisedë me gjeneralin e që drejton policinë e rajonit të Janinës dhe prefektin e sapozgjedhur të këtij rajoni, i cili e fillon punën në këtë pozicion në muajin janar. Ata kanë shprehur gatishmërinë e tyre dhe të krejt Qarkut të Janinës për të mirëpritur fluksin e shqiptarëve, sepse, sipas tyre, kjo lëvizje sigurisht ndikon edhe në gjallërimin ekonomik të këtij rajoni fqinj në këtë fundvit”. Sipas Kserës, përpara se të bëhej deputet dhe ministër ishte prefekt i Gjirokastrës dhe qytetarët do të inkurajohen nga qeveria që të zbatojnë rregullat dhe të shkojnë në Kakavijë pa asnjë lloj frike.
I pyetur në lidhje me dokumentacionet dhe garancitë që kërkojnë kontrollorët grekë, Ksera tha se nuk kërkohet garanci, por dokumentimi i destinacionit ku do të shkojnë, sepse këto janë kërkesa elementare të procedurës për të hyrë në hapësirat e Shengenit. “Shpreh bindjen se kjo procedurë do të vazhdojë normalisht”, nënvizoi ai. Në përgjigje të pyetjes lidhur me numrin e madh të të kthyerve nga kontrollorët grekë, ai theksoi: “Ne shohim ata që kalojnë kufirin duke respektuar procedurat dhe ata janë të shumtë, jo vetëm këtu në Kakavijë, por edhe në Durrës, Vlorë, Kapshticë etj.”.