E Hënë, 2 Nëntor 2026

Autoritetet lokale emërtojnë shëtitoren dhe emrin e ushtarit të rënë

22/02/2005  Miçigan, një rrugë me emrin e "Gentian Markut" SHBA

Një rrugë me emrin e Gentian Markut. Këshilli Bashkiak i qytetit Warren, në Miçigan, miraton në mënyrë unanime emërtimin e njërës prej rrugëve të këtij qyteti, me emrin e ushtarit shqiptar të vrarë në Irak, 3 muaj më parë. Veç Markut, e njëjta praktikë është ndjekur dhe me një tjetër emigrant nga Korea e Jugut, i quajtur In Kim, të rënë në Irak nën armën amerikane.

Vendimi

"Diçka edhe më të rëndësishme do të bëjmë me anë të një Rezolute, e cila do t'u dedikohet të gjithë atyre bijve e bijave amerikanë, që gjatë shërbimit ushtarak - po kryejnë një sakrificë sublime", mësohet të jetë shprehur gjatë ceremonisë së përurimit të rrugës, Presidenti i Këshillit Bashkiak, James Fouts. Ai tha se qyteti Warren, gjithashtu do të marrë në konsideratë për vendosjen e një pllake përkujtimore me të gjithë emrat e atyre ushtarakëve, të cilët janë plagosur ose kanë kryer akte të larta trimërie nga sulmet terroriste në Irak dhe Afganistan. Paskëtaj u bë një biografi e shkurtër e dy heronjve. Gentian Marku u cilësua si një emigrant që u përshtat shpejt me jetën amerikane, kur si një fëmijë e filloi punën e kamerierit, në njërin prej restoranteve në qytetin Warren. Ai ishte vetëm 16 vjeç kur mbërriti në SHBA dhe nisi punën si kamerier në restoratin me emër "Big Boy", që frekuentohej më së shumti prej ushtarakëve dhe policëve të kësaj zone. Të pranishmit në ceremoni mendojnë se kjo ka qenë edhe arsyeja pse ai u "dashurua" me rrobën ushtarake. Ata kanë shtuar se ëndrra e tij ishte të bëhej një ushtarak i aftë. Kontakti i parë me "erën" e ushtrisë, ishte kur ai u inkuadrua në shkollën ushtarake "U.S. Marine Corps". Atje, Marku arriti të përfundonte studimet në "Warren Woods Tower", në 2001. Heroi më i ri i SHBA-së u vra në Fulluxha - Irak, vitin e kaluar.

Rënia

Për bashkëkombasin tonë u tha paskëtaj se kjo ishte ëndrra më e madhe e djaloshit shqiptar, që nga dita kur iku nga Shqipëria, kur familja e tij fitoi llotarinë amerikane dhe u vendos në Warren të Detroitit (Miçigan). Sipas tyre, ai ia kishte dalë mbanë i ndihmuar shumë dhe nga fati, që t'i shpëtonte skamjes së atdheut, ashtu si dhe qindra e mijëra shqiptarë që kanë lënë vendin e tyre. Gentian Marku arriti të përfundonte me sukses tre vitet e studimeve në Kolegjin Ushtarak, në auditorin e së cilës e forcoi më shumë dëshirën për t'u bërë një ushtarak i aftë. Kësisoj, prindërit nuk e panë të udhës ta privonin nga jeta ushtarake, e aq më pak ta ndalonin vrullin e tij për t'u nisur ushtar drejt Irakut. Babai e përcolli të birin në luftë, me gjithë bekimin e tij dhe të Zotit. Por për asnjë ditë nuk e gjeti qetësinë, edhe pse i biri, ngandonjëherë i dërgonte nga telefoni vetëm mesazhe shprese e lajme të mira, deri në ditën kur të tjerët do i sillnin gjëmën e madhe, më 25 nëntor 2004 - Ditën amerikane të Falenderimeve. Ai ishte vrarë së bashku me 10 trupa të tjerë amerikanë të kompanisë "Bravo", të batalionit të parë të marinsave. Ata ranë pre e një kundërsulmi terrorist, teksa rrekeshin të merrnin nën kontroll qytetin rebel të Falluxhas. Gentiani ishte djali i vetëm i familjes Marku. Ngushëllimi i prindërve tanimë është motra e tij, më e vogël në moshë se heroi. Djali kishte lënë amanet që, nëse vritej në luftë, të varrosej në vendlindjen e tij. Dhe të afërmit vepruan ashtu siç deshte ai. Varrimi i tij u krye me të gjitha nderimet e larta në fshatin Piraj të Lezhës. Mijëra vetë u tha se morën pjesë në varrimin e tij, duke përfshirë këtu dhe funksionarë të lartë të kabinetit kryeministror. Gentian Marku shënoi të dytin rast të rënies së ushtarëve shqiptarë, nën armën amerikane në Irak. Në muajin janar të vitit 2004, u vra gjatë luftimeve Ervin Dervishi, nga Tirana, me banim në Amerikë. Ai u varros në SHBA.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›