Bashkia e Tiranës kundër vendimeve të gjykatës
22/02/2005 Bashkia e Tiranës që nga viti 1996 ka patur dijeni se godina ku, aktualisht, është Estrada e Tiranës, është pronë e trashëgimtarëve të Haver, Shyqyri dhe Qazim Haverikut. Megjithatë për të lëshuar këtë pronë duhej një vendim gjykate, edhe pse Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave e kishte bërë detyrën e tij. Në datën 27 korrik 2001, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i jep të drejtë pronarëve për të marrë frytet e vjela të pronës së tyre, që nga viti 1996. Por, pikërisht ky vendim, që detyronte Bashkinë e Tiranës të derdhte shumën 101211063,25 lekë, plus 8400 dollarë amerikanë, nuk u konsiderua i drejtë nga kryetari i Bashkisë, Edi Rama. Detyrimi nuk u shlye as nga përfaqësuesit e BSPSH dhe Konfederatës së Sindikatave. Çështja shkoi në shkallën e dytë të gjykimit. Kjo gjykatë e lehtësoi kontributin që Bashkia kishte për t’u kthyer pronarëve të ligjshëm. Vetëm 5 milionë lekë të vjetra duhej të kthente Bashkia me vendim të datës 27 korrik 2001. Sipas vendimeve të gjykatës, Bashkia e Tiranës, prej vitesh vilte qiranë e bar "Çaplini", "Pjano Bar" dhe Estradës së Tiranës, edhe pse pronarët ekzistonin. Por vendimi i Apelit nuk ishte i drejtë përsëri për Bashkinë e Tiranës, duke e detyruar këtë të fundit të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë. Bashkë me Bashkinë e Tiranës, Apeli detyroi me vendim edhe BSPSH-në e Konfederatën e Sindikatave të shlyente detyrimin e pronarëve. Por asgjë nuk u bë. Kështu në të dy shkallët e gjykimit, pronarët fituan, por nuk arrinin të fusnin në dorë pronën e tyre. Duhej të pritej që për të dyja vendimet të shprehej Gjykata e Lartë. Kështu, Bashkia e Tiranës e dërgon çështjen në Gjykatën e Lartë. Përveç detyrimit për të kthyer kontributet e vjela, pronarëve me vendim gjykate të formës së prerë duhej t'i kthehej edhe ndërtesa e zaptuar. Bashkia e Tiranës, në rekursin e saj, pretendoi se ajo gabimisht është detyruar për të derdhur të ardhurat e vjela nga institucionet e tjera. Sipas Bashkisë së Tiranës, gjykata duhet të detyrojë Ministrinë e Kulturës dhe të Financës, për të sqaruar kush duhet të përgjigjet për përdorimin e sendit. Po kështu, Bashkia pretendoi se nuk është marrë parasysh fakti që, Drejtoria e Estradës ka bërë investime të konsiderueshme në ambientet e sallës. Të gjitha pretendimet e Bashkisë së Tiranës u rrëzuan në Gjykatën e Lartë si të pabazuara në ligj. Megjithatë, edhe pse vendimi ishte i formës së prerë dhe nuk linte vend për të diskutuar, pronarët e ligjshëm të pronës nuk mund të marrin atë që meritojnë. Në lojë u fut Zyra e Përmbarimit Tiranë, e cila disa herë është përballur me kundërshtime.