E Hënë, 2 Nëntor 2026

Yzberisht, gjendet kufoma e djegur

22/02/2005  Pranë trupit zbulohet një automatik

Gjendet në një kasolle në Yzberisht të Tiranës kufoma e një mashkulli rreth 35 vjeç. Burime policore nga Komisariati nr.4 bëjnë të ditur se, viktima ishte pothuajse e djegur, ndaj nuk mund të identifikohet lehtë. Policia zbulon pranë trupit një automatik. Endacak i djegur nga zjarri me të cilin ngrohej, apo banor i zonës, ekzekutuar për ndonjë qëllim të caktuar? Kjo ishte dilema e grupit hetimor deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.

Zbulimi

Një banor i zonës së Yzberishit ishte duke kaluar krejt rastësisht pranë ish-kompleksit të pularisë së këtij fshati, kur pikasi prej së largu një objekt të pazakontë, të ngjashëm me një njeri të shtrirë përtokë. Burime zyrtare nga Komisariati i policisë nr.4, bëjnë të ditur se kalimtari ishte bërë kurioz të shihte nga afër se kush ishte njeriu që qëndronte atje. Ndaj ishte afruar në drejtim të tij. Por, pa bërë as 5 hapa kishte pikasur se përballë kishte një kufomë të djegur. I shqetësuar, ai ishte afruar pranë trupit të pajetë, ku nuk mund të bëhej fjalë për rroba apo shenja të tjera të veçanta. Megjithë përpjekjet e tij për të kujtuar ndonjë të humbur, banori i Yzberishtit nuk ia doli mbanë. Pa humbur kohë, ai lajmëroi menjëherë policinë kriminale të Komisariatit nr.4. Uniformat u paraqitën në vendin e ngjarjes pak minuta më pas, të shoqëruar nga ekspertët. Si të mos mjaftonte kufoma e djegur totalisht, pak hapa më tej u zbulua dhe një armë automatike. Edhe ajo ishte e shkrumbuar nga flakët. Me të kryer veprimet e para në vendin e ngjarjes, policia transportoi trupin e gjetur në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për t’i bërë autopsinë.

Hetimet

Ka qenë mjaft e vështirë për blutë kryerja e ekspertizës së trupit të pajetë. Të njëjtat burime nga Komisariati i policisë nr.4, saktësojnë se kufoma ishte pothuajse e dekompozuar. Në të nuk kishte qoftë dhe një pjesë të vetme ku mund të gjendej një shenjë apo gjurmë për verifikim. "Dyshojmë se kufoma i përket ndonjë endacaku që strehohej në kasolle për t’u mbrojtur nga të ftohtët. Ka gjasa që ai mund të ketë ndezur zjarr për ngrohje, e ka zënë gjumi dhe ka përfunduar i djegur në kasolle", u shpreh për gazetën "Metropol", i kontaktuar në linjë telefonike, drejtori i policisë së Tiranës. Ndërsa lidhur me gjetjen e armës fare pranë trupit të pajetë, Albert Dervishi tha se policia është ende në procedurat e verifikimit. Nuk përjashtohet mundësia që automatiku të ketë qenë i ndonjë rojeje që vëzhgonte pronat përreth. Sakaq, burimet nga Komisariati nr.4 shprehen me përafërsi se, kufoma duhet të ishte rreth 35-40 vjeç dhe i seksit mashkull. Janë marrë në pyetje banorët përreth, për të mësuar diçka më tepër rreth mundësisë së zhdukjes së ndonjë banori të Yzberishtit. Por dëshmitarët janë shprehur për inspektorët se nuk rezulton asnjë i humbur gjatë kësaj periudhe. Veç kësaj, ata nuk kanë parë ndonjë endacak të vërtitej atyre anëve. Kësisoj, e vetmja mundësi për të përcaktuar identitetin e kufomës, janë verifikimet mbi listën e të zhdukurve në shkallë vendi. Automatiku i gjetur është një faktor mjaft i rëndësishëm, që e vështirëson çështjen. Burimet thonë se përfundimet e ekspertizës do të nxjerrin në pah shumë detaje domethënëse për vdekjen e viktimës. Nëse në trupin e tij konstatohen shenja plumbash, atëherë të shumta janë gjasat për një ekzekutim. Në të kundërt mbetet në fuqi mundësia e të qenit endacak.

PRECEDENTË

-Në datën 9 janar 1999 gjendet i shkrumbuar në malin e Dajtit njëri nga pjesëtarët e organizatës "Hakmarrja për Drejtësi". Në një makinë të djegur, pranë ca shkurreve të dendura, policia zbuloi në bagazh trupin e pajetë të një të riu. Hetimet e mëpasshme konkluduan se kufoma i përkiste Enkelejd Agait, të deklaruar të zhdukur pak ditë më parë, nga i ati. Por, megjithëse dosja u mbyll, ende mbetet mister identiteti i trupit të djegur me benzinë.

-Në datën 2 mars të vitit 2003, në bodrumin e lokalit të Katerina Kalasë, në qytetin e Mamurasit, u gjet trupi i djegur i një njeriu. Pas hetimeve të kryera, rezultoi se viktima ishte Nexhat Xhelegu, 57 vjeç. Ai ishte endacak dhe jetonte në bodrumin e këtij lokali. U kryen veprimet proceduriale, ku u konkludua se djegia kishte ardhur nga pakujdesia gjatë ngrohjes natën.

-Në datën 24 gusht të vitit 2001 gjendet në afërsi të Urës së Re, në fshatin Skuraj të Kurbinit, një kufomë e seksit femër. Viktima e paidentifikuar është rreth 25-30 vjeçe dhe e djegur plotësisht. Kufoma mbeti e paidentifikuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›