E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kërcënimet e Ndreut, nis gjyqi me SHKB

22/02/2005  

Akuza: Përdorim me keqdasheje të thirrjeve telefonike

TIRANË –Dosja penale me emrin e ish-drejtorit të Policisë së Tranës, Pjerin Ndreu, ndodhet në duart e gjyqtarit Bledar Abdullai. Të mërkurën, në datën 23 shkurt, ish-kryekomisari do të përballet në gjykatë me akuzën e "përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike".

Dosja

Megjithëse pas ndalimit e më pas arrestimit nga ish-kolegët, Pjerin Ndreu u la i lirë, vepra penale për të cilën u akuzua, nuk u pushua. Kjo vepër parashikohet nga neni 275 i Kodit Penal. Pjerin Ndreu akuzohet se me dashje ka dërguar në numrin e celularit të shefit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit Publik, Sami Rasha, disa mesazhe kërcënuese. Vetë Ndreu nuk e ka mohuar faktin se i ka nisur këto mesazhe, por gjithçka ka pohuar se e ka bërë për shkak të shoqërisë së vjetër që kishte me të. Gjithsesi, të gjitha pretendimet e palëve do të ngrihen në gjykatë. Ndërkohë, Ndreu, në 18 shtator të vitit të kaluar, ka provuar dy ditë peshën e prangave në duart e tij. Më pas, ai me vendim të gjyqtarit Agim Bendo, u la i lirë.

Detyrim paraqitjeje

Ndreu, që nga momenti i ndalimit, ishte i detyruar të paraqitej një herë në javë në zyrën e prokurorit të çështjes. Arrestimin e kryekomisarit, gjyqtari Agim Bendo e quajti të paligjshëm, duke i dhënë shansin të hetohej në gjendje të lirë. "Hakmarrje personale". Kështu do ta përkufizonte arrestimin e tij, ish-drejtori. Ndalimi i kryekomisar Pjerin Ndreut u bë në mesnatën e ditës së shtunë, datë 18 shtator. Në aksionin për kapjen e tij morën pjesë forcat RENEA. Shkak për ndalimin e menjëhershëm është bërë një mesazh në celularin e shefit të Shërbimit të Brendshëm të Ministrisë së Rendit Publik, Sami Rasha. Ky i fundit kishte lajmëruar eprorët e vet për mesazhin, i cili është përdorur më pas si provë për kallëzimin e bërë në Prokurori. Sipas akuzës, mesazhi është dërguar katër herë në celularin e Rashës. Vetëm pak ditë më parë, komisar Ndreu humbi betejën e nisur kundër ministrit të Rendit, Igli Toska, në Gjykatën e Lartë. Tashmë do t'i duhet të përballet me një akuza të re, të cilën e ka konsideruar thjeshtë një tentativë për ta larguar përfundimisht nga policia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›