E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaportat në Gjykatën e Lartë, përballë akuza me të pandehurit

22/02/2005  

TIRANË – Bujar Himçi dhe Veli Myftari i janë drejtuar Gjykatës së Lartë për pafajësi dhe dëmshpërblim. Seanca e radhës do të zhvillohet të mërkurën, më 23 shkurt. Fatmir Braka, avokati i Bujar Himçit, kërkon nga gjykata pafajësi, ndërsa Veli Myftari i kërkon gjyktës që, pas pafajësisë ta dëmshpërblejë për ditët e burgut të bëra padrejtësisht. I vetmi që nuk ka arritur të dërgojë çështjen më lart, është i pandehuri Edmond Aliaj, i cili u gjykua në mungesë. Ndërkohë që, Arben Prifti mori pafajësi që në Shkallën e Parë, duke mbetur në fuqi edhe në Apel. Procesi gjyqësor, që për të pandehurit Bujar Himçi, Veli Myftari, Edmond Aliaj dhe Arben Prifti, tashmë duket i përfunduar, mund të marrë një tjetër kthesë. Të gjithë të pandehurit janë të lirë. Arben Prifti ka bërë edhe kërkesë në gjykatë për dëmshpërblim. Në Gjykatën e Lartë kanë bërë ankim të dyja palët, si të pandehurit ashtu edhe Prokuroria, e cila nuk ishte dakord me vendimin e dhënë nga dy shkallët më të ulëta. Mbetet për t’u diskutuar fakti që, çështja është ende në gjykim në shkallën më të lartë dhe një prej të pandehurve ka fituar të drejtën për të marrë dëmshpërblimin pas marrjes së pafajësisë. Çështja pas vendimit të Gjykatës së Lartë, mund të rikthehet edhe një herë në Shkallën e Parë ose atë të Apelit. Por mund të ndodhë edhe ndryshe, katër të pandehurit të dalin të pafajshëm. Ish-zyrtarët e Ministrisë së Rendit u gjykuan dhe përfundimisht u deklaruan fajtorë, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kishin shkaktuar një dëm shtetit, që llogaritej në 1.385.092.690 dollarë amerikanë. Bëhet fjalë për shkeljet që janë vënë re në zhvillimin e tenderit të pasaportave. Me propozim të Ministrisë së Rendit Publik dhe me miratim të Agjencisë së prokurimeve Publike, i është kërkuar Këshillit të Ministrave që të miratonte procedurën e tenderimit "kërkesë për kuotim" me fondin limit prej 9.346.200 dollarë. Në tender ishin planifikuar dhe pranuar të merrnin pjesë pesë firma dhe, konkretisht, Polaroid – Amerikë, Bundesdruckerei GMB H – Gjermani, Euroget Technologies S.A – Greqi, FTS S.A.S – Francë dhe De La Rue – Angli. Ndërsa kanë filluar procedurat, nuk është lajmëruar njëra nga firmat, e cila më pas ka bërë dhe ankim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›