E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Autoritetet të garantojnë votën për çdo zgjedhës”

06/06/2009  Apeli i delegacionit paraelektoral të KE-së

“Autoritetet kanë përgjegjësinë të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i siguruar çdo votuesi një kartë të re identiteti, në mënyrë që të sigurohet se të gjithë votuesit do të jenë në gjendje të përmbushin të drejtën e tyre kushtetuese më 28 qershor. Çështjet lidhur me kartën e identitetit duhet të zgjidhen në një mënyrë plotësisht transparente për të siguruar besimin publik, si dhe besimin e të gjitha partive politike në procesin elektoral demokratik në Shqipëri.” Një mesazh i tillë u përcoll dje nga delegacioni paraelektoral i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në këtë mënyrë, pas takimeve që zhvilloi ky delegacion në Tiranën zyrtare, përfaqësuesit e tij përmes një deklarate dhanë vlerësimet mbi situatën aktuale për procesin zgjedhor. Kështu, e formuluar si një apel për më tepër dhe si tërheqje e vëmendjes së dy forcave kryesore në vend, delegacioni vërejti se “Kodi Elektoral, i përmirësuar në mënyrë domethënëse dhe i miratuar në dhjetor 2008, mund të ketë një impakt pozitiv në zhvillimin e procesit elektoral demokratik. Megjithatë, implementimi i Kodit në besim të plotë kërkon gjithashtu angazhim nga partitë kryesore politike për të respektuar Kodin”. Gjithashtu në këtë deklaratë vihej re dhe një tjetër çështje: pasqyrimi i fushatës elektorale në medie. “Delegacioni paraelektoral thekson nevojën e mbulimit mediatik të paanshëm dhe të balancuar, veçanërisht nga transmetuesi publik (RTSH), i cili nuk duhet të ketë influencë politike. Delegacioni mirëpret pluralizmin e opinioneve në medien e shkruar, por është i preokupuar nga problemi i aksesit të barabartë për të gjitha partitë politike në medien e transmetuar. Delegacioni vlerëson se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 do të jenë një test pjekurie për demokracinë në Shqipëri”, - vihej në dukje në deklaratën e delegacionit paraelektoral të KE-së. Në këtë drejtim ai u bën thirrje autoriteteve në Shqipëri të implementojnë plotësisht rekomandimet e Asamblesë Parlamentare që i përmban rezoluta e saj 1538 (2007). Delegacioni thekson se “zgjedhjet demokratike nuk janë të kufizuara vetëm në ditën e votimit, autoritetet e vendit dhe të gjithë aktorët politikë kanë përgjegjësinë të sigurojnë kushtet e nevojshme për shprehjen e lirë të vullnetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”. Delegacioni paraelektoral gjatë këtyre ditëve u takua me Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli, ministrin e Punëve të Jashtme Lulëzim Basha, ministrin e Brendshëm Bujar Nishani, anëtarët e delegacionit shqiptar në APKE, kryetarin dhe anëtarët e KQZ-së, liderët e partive politike që marrin pjesë në këto zgjedhje, përfaqësuesit e medies, shoqërisë civile dhe të komunitetit ndërkombëtar. Asambleja Parlamentare do të dërgojë një delegacion me 20 anëtarë për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›