E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Procesi zgjedhor është më moderni në historinë e vendit”

06/06/2009  Kryeministri Berisha bën thirrje për aplikimin për kartat e identitetit

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se gjatë katër vjetve të ardhshëm e gjithë Shqipëria do të përjetojë ndryshimet më të mëdha, të cilat do të mundësojnë standardet e vendeve të Bashkimit Europian. Duke folur në një takim elektoral në Synei të Kavajës, kreu i qeverisë ka kërkuar që të gjithë të aplikojë për t’u pajisur me kartat e reja të identitetit, si një detyrë madhore. Ai theksoi se procesi zgjedhor është më moderni në historinë e vendit, pasi bazohet në dokumentacionin më të shkëlqyer, në një dokumentacion tërësisht dixhital. “Dua të përshëndes vëllazërisht 1 milion e 250 mijë shqiptarë që kanë aplikuar deri tani. 1 milion e 250 mijë shqiptarë iu përgjigjen detyrimit të tyre qytetar dhe thirrjes së qeverisë shqiptare, por ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që nuk i kanë marrë ende që këto ditë të marrin letërnjoftimet, si detyrim madhor qytetar ndaj vetes, familjes dhe vendit të tyre”, - tha ai. Për shefin e ekzekutivit votimi më 28 qershor me kartat e reja të identitetit, me standardin më modern në Evropë, është një shans i madh. Kryeministri, duke bërë thirrje për aplikimin dhe pajisjen me kartat e identitetit, u shpreh se ka besim se edhe ata persona që nuk i kanë marrë letërnjoftimet do t’i marrin dhe do të shkojnë më 28 qershor të sigurt për një fitore të dytë, si ajo e 22 marsit. Berisha u shpreh se 28 qershori është një ditë e madhe, e cila vjen pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, vjen pasi 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian firmosën Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me ne dhe pranuan të dorëzojmë kërkesën për anëtarësim të plotë. “Asnjëherë në histori nuk kemi pasur një besim kaq të madh të dëshmuar nga Evropa dhe bota. Ata janë miqtë tanë. Ndaj këto zgjedhje nuk janë vetëm për veten tonë, por janë edhe për të shpërblyer besimin e madh që kombet e vendeve mike, qeveritë dhe parlamentet e tyre dëshmuan duke firmosur për Shqipërinë me besimin e plotë në demokracinë e saj, në njerëzit e saj dhe në ekonominë e tregut”, - ka thënë Berisha. Duke folur mbi projektin e qeverisë për ndryshimin e vendit, Berisha pohoi se është i bindur për vështirësinë e tij. Sipas tij, nëse gjatë katër vjetve të fundit u asfaltuan rreth 6 mijë kilometra rrugë, në katër vjetët që vijnë do të asfaltohet çdo rrugë e vendit ku ka prani të fermerëve shqiptarë. Ai ka theksuar se qeveria është e gatshme të financojë çdo projekt. Kështu, ai deklaroi se komunat duhet të hartojnë projektet dhe ekzekutivi do të derdhë paratë për realizimin e tyre në terren. “Vetëm në këtë mënyrë ju mund të ndieni se jeni fermerë evropianë dhe mund të konkurroni me fermerë të vendeve të tjera, të cilët kanë mbështetje të madhe”, - u tha Berisha banorëve të Syneit.

Berisha: Nevojë për ndryshime të mëdha

“Po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe ne kemi ndryshuar Shqipërinë, kemi ndryshuar Synein, por Shqipëria dhe Synei kanë nevojë për ndryshime të tjera akoma edhe më të mëdha, të cilat ne do t’i bëjmë. Synei, Kavaja dhe Shqipëria kanë nevojë që ju, të dashur qytetarë, të gëzoni ato standarde që gëzojnë edhe qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që ju kudo që jeni të keni ujë 24 orë, të keni rrugë të asfaltuara, të keni shkolla moderne, të keni pensione të njëjta me disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të keni mundësi të gëzoni shërbimet që gëzojnë në qytet. Kjo është Shqipëria evropiane që ne premtojmë.”

Zgjedhjet parlamentare

Ministri Basha pret vëzhguesit e Këshillit të Europës

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim të posaçëm me delegacionin parazgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kryesuar nga deputetja e Vendeve të Ulëta Corien Jonker. Kryediplomati shqiptar ka theksuar gjatë takimit se qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, ministri Basha bëri një ekspoze të gjerë të reformës elektorale, masave të marra nga qeveria shqiptare për përfundimin e infrastrukturës së nevojshme zgjedhore, si dhe të ecurisë së procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike. Ai nënvizoi se hapat e mësipërm janë bërë në përputhje me rekomandimet e OSBE–ODIHR-it. Basha përsëriti gjithashtu vullnetin e qeverisë shqiptare për të pritur numrin më të madh të vëzhguesve që kanë monitoruar zgjedhjet në Shqipëri dhe falënderoi Asamblenë e Këshillit të Evropës për gatishmërinë e treguar për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës së qeverisë. Nga ana e tyre anëtarët e delegacionit parlamentar informuan për vendimin e Asamblesë Parlamentare për të dërguar 20 vëzhgues, të cilët janë deputetë me përvojë në fushën e monitorimit të zgjedhjeve. Delegacioni po viziton Shqipërinë në përgjigje të ftesës që qeveria shqiptare i ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

PD në Sarandë

Patozi: Arsimi është prioritet i qeverisë “Berisha”

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka deklaruar gjatë një takimi me arsimtarët e nënprefekturës së Sarandës se arritjet e katër vjetve të fundit në sistemin arsimor përbëjnë krenarinë e qeverisë së djathtë. Patozi, i cili kryeson listën e kandidatëve për deputetë së PD-së në Qarkun e Vlorës, tha se arsimi ka qenë prioritet absolut i qeverisë “Berisha” në këtë 4-vjeçar që po mbyllet, ndërkohë që mbetet sfida edhe e 4 vjetve të mandatit të dytë qeverisës. Duke folur plot siguri në një fitore të padiskutueshme të PD-s më 28 qershor, Patozi është ndalur në arritjet më të rëndësishme që PD-ja ka bërë të prekshme për çdo shkollë, nxënës e mësues në të gjithë vendin, ku vetëm kabinete interneti janë 45 herë më shumë në të gjithë Shqipërinë, pasi në filozofinë e qeverisjes demokratike integrimi europian do të thotë shkollë europiane. Zyrtari i lartë demokrat ka siguruar se në 4 vjetët e ardhshëm nuk do të ketë asnjë shkollë pa ngrohje dhe pa internet në Sarandë, përballë harresës 8-vjeçare të arsimit nga kundërshtarët politikë të PD-së. Duke iu drejtuar mësuesve, Patozi tha se nuk kërkojnë që ata të bëhen militantë të PD-së, por ato që janë bërë në 4 vjet e të tjera që projektohen na japin të drejtën për të kërkuar mbështetje politike nga çdo arsimtar i këtij vendi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›