E Diel, 1 Nëntor 2026

Autoriteti i Konkurencës monitoron bankat: Tarifat më të lartat në rajon

TIRANË- Autoriteti Konkurencës publikon rezultatet e monitorimit të tregut të shërbimeve bankare, të realizuar prej fundit të vitit 2009 dhe gjatë vitit 2010. Në një deklaratë shpërndarë për mediat autoriteti i konkurrencës bën të ditur se monitorimi u krye me qëllim vlerësimin e sjelljes së bankave të nivelit të dytë në lidhje më transparencën për klientët si dhe krahasimin e tarifave të shërbimeve bankare në Shqipëri me bankat homologe në rajon.
Monitorimi në tregun e shërbimeve bankare u ndërmor për shkak të shqetësimit publik të komunitetit të biznesit dhe klientëve individë për rritjen e komisioneve të shërbimeve bankare dhe mungesën e transparencës nga ana e bankave.
Autoriteti ka evidentuar se ka mungesë të transparencës nga bankat, e cila reflektohet në mungesën e elasticitetit të kërkesës për shërbime bankare dhe në këto kushte, bëhet e vështitrë analiza e shkallës së konkurrencës mes operatorëve. Nga monitorimi ka rezultuar se bankat aplikojnë tarifa të ndryshme për të njëjtin shërbim. Gjithashtu për disa shërbime, si llogaritë rrjedhëse dhe ceqet ato zbatojnë komisione në euro dhe jo në monedhën vendase, duke i vendosur klientët përballë riskut të kursit të këmbimit. Nga vlerësimi i treguesve të transparencës u konstatua se jo të gjitha bankat kanë faqe interneti dhe për rrjedhojë, nuk kanë të publikuara kushtet e punës në gjuhën shqipe. Në disa raste, është vënë re se bankat nuk i njoftojnë klientët kur ndryshojnë kushtet e punës për kontratat e shërbimeve, në mënyrë të vecantë kur rritet komisionet e llogarive rrjedhëse apo kartave të debit/kreditit. Sipas Autoritetit të Konkurencës, nga krahasimi i tarifave dhe shërbimeve me bankat e rajonit, brenda të njëjtit grup bankar, konstatohet se bankat që operaojnë në Shqipëri aplikojnë tarifa më të larta për shërbimet sesa bankat homologe në rajon.
Ndërkohë shoqata e bankave ka njoftuar se duke marrë shkas nga diskutimet publike të kohëve të fundit mbi tarifat dhe komisionet e shërbimeve bankare ka ndërmarrë një studim rajonal, ku konstaton se disa banka në Shqipëri aplikojnë komisione më të ulëta sesa mesatarja e rajonit apo nuk kanë fare komisione, ç’ka do të thotë që klientët shqiptarë kanë mundësi zgjedhjeje.

(e.m/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›