E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma ne drejtesi Mcllwham: Urgjente, Beçaj: Duhet depolitizimi

TIRANE- Kryetarja e Gjykatës së Lartë dhe ambasadorja britanike Znj. Fiona Mcllwham nënvizojnë domosdoshmërinë e realizimit të një reforme të plotë dhe imediate të sistemit të drejtësisë e domosdoshme për funksionimin e pavarur të institucioneve të drejtësisë.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë ka përfituar nga një takim që zhvilloi me ambasadoren britanike, në kuadër të një projekti bashkëpunimi, për ti shprehur shqetësimet dhe problemet me të cilat po përballet sistemi i drejtësisë në përgjithësi dhe Gjykata e Lartë në veçanti.

Zonja Beçaj i nënvizoi diplomates britanike se “drejtësia sot përballet me probleme e vështirësi të shumta, të cilat nuk mund të kapërcehen pa strategji dhe politika të drejta e të qarta, që burojnë nga ndarja dhe pavarësia e pushteteve, nga parimi i depolitizimit të drejtësisë, dhe një reformë të ligjeve organike që rregullojnë organizimin dhe funskionimin e gjyqësorit dhe të institucioneve kushtetuese.”

Duke iu referuar Gjykatës së Lartë zonja Beçaj informoi zonjën Mcllwham se “Trupa gjyqësore funksionon pa gjyqtarë të mjaftueshëm për intervale të gjata kohore” dhe në kushtet e një infrastrukture e cila nuk garanton kushtet normale të punës” duke nënvizuar se kjo “sjell vonesa në shqyrtimin e çështjeve dhe pakënaqësi nga ana e publikut.”

Ajo ka theksuar më tej se “Për realizimin e një reforme të plotë dhe imediate, kërkohet mbështetje nga të gjithë institucionet ligjvënese dhe ekzekutiv”. Dhe kjo “duhet për të reformuar kodet proceduriale, krijuar nje Kolegj Administrativ pranë Gjykatës së Lartë, rritjen e numrit të gjyqtarëve, vazhdimin e detyrës së gjyqtarëve deri në zëvendësimin e tyre, riemërimin e gjyqtarëve mbas mbarimit të mandatit, etj.”

Znj. Beçaj ka bërë me dije ambasadoren se “nga ana e saj janë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të çuar përpara këto reforma me qëllim që institucionet shqiptare të drejtësisë ta administrojnë drejtësinë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe efektive.”

Nga ana e saj ambasadorja e Britaninë së Madhe në Shqipëri Znj. Fiona Mcllwham se “çështja e reformës në drejtësi është bërë më e rëndësishme dhe urgjente se kurrë.”- thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga Gjykata e Lartë.

Ajo gjithashtu nënvizoi “se sfidat me të cilat përballet sot drejtësia janë të mëdha dhe vetëm profesionalizmi dhe adresimi i rasteve të evidentuara të korrupsionit do të sillte një rritje të besimit të publikut. Bashkëpunimi brenda sistemit të drejtësisë dhe ai midis institucioneve shtetërore dhe drejtësisë është thelbësor- tha ajo duke shtuar se - politika duhet të luajë rolin e saj dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë.“
Ambasadorja britanike konfirmoi mbështetjen e qeverisë që ajo përfaqëson në reformat e drejtësi dhe theksoi rëndësinë e profesionalizmit dhe pavarësisë së institucioneve. Ajo ka pohuar se opinioni i BE-së në muajin nëntor parashtroi disa prioritete që lidhen drejtpërdrejt me gjyqësorin dhe, Ministria e Drejtësisë po punon mbi një strategji për t`i adresuar këto çështje.

GJYKAZESI BRITANIK: GATI T'JU KESHILLOJME E T'I ZGJIDHNI PROBLEMET
Edhe Sir Henry Brooke, një gjykates i lartë britanik dhe drejtues i projektit që mbështet Gjykatën e Lartë, financuar nga Qeveria Britanike u shpreh i gatshëm që ekspertet nga Britania dhe BE-ja të mund të keshillojnë sistemin e Drejtesisë dhe Gjykaten e Larte mbi mënyrat se si të zgjidhin problemet e tyre, “por kjo përgjegjësi në fund i takon gjyqesorit dhe politikaneve te vendit qe te marrin vendimet e duhura. “ vazhdon njoftimi për shtyp.
Znj. Beçaj theksoi se pavarësisht kritikave apo problemeve me të cilat përballet sot gjyqësori shqiptar, gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë janë të angazhuar për të përmbushur misionin e tyre në dhënien e drejtësisë duke u mbështetur tek Kushtetuta dhe Ligji për të fituar besimin e publikut.
Takimi ka përfunduar duke rënë dakord për të vazhduar bashkepunimin bilateral për reformën në drejtësi me qëllim ndihmimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, pritet që në muajin mars një grup anëtarësh të Gjykatës së Lartë të zhvillojnë një vizitë punë në Britaninë e Madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›