Autoriteti i Konkurrencës: Bankat abuzojnë në shpinë të konsumatorit
Autoriteti i Konkurrencës që nga fundi i vitit 2009 dhe gjatë vitit2010, ka kryer një monitorim të tregut të shërbimeve bankare me qëllim vlerësimin e sjelljes së bankave të nivelit të dytë në lidhje më transparencën për klientët si dhe krahasimin e tarifave të shërbimeve bankare në Shqipëri me bankat homologe në rajon. Autoriteti ka arritur në përfundimin se mungon transparenca, çka e bën të vështirë shqyrtimin e këtij tregu. Mungesa e transparencës reflektohet në mungesën e elasticitetit të kërkesës për shërbimet bankare dhe në këto kushte behët e vështirë analiza e shkallës së konkurrencës efektive midis operatorëve të këtij tregu, thuhet në njoftimin e Autoritetit. Më poshtë janë rezultatet e monitorimit.
1. Mungesa e transparencës reflektohet në mungesën e elasticitetit të kërkesës për shërbimet bankare dhe në këto kushte behët e vështirë analiza e shkallës së konkurrencës efektive midis operatorëve të këtij tregu.
2. Bankat e nivelit të dytë aplikojnë kryesisht tarifa të ndryshme për të njëjtin shërbim.
3. Bankat e nivelit të dytë për disa nga shërbimet si p.sh llogaritë rrjedhëse dhe çeqet aplikojnë komisione në euro dhe jo në monedhë vendase, duke i vendosur konsumatorët përballë riskut të kursit të këmbimit.
4. Nga vlerësimi i treguesve të transparencës u konstatua se jo të gjitha bankat e nivelit të dytë kanë faqe interneti dhe si rrjedhojë nuk kanë të publikuara kushtet e punës në gjuhën shqipe. Theksojmë se megjithëse disa janë degë të bankave të huaja, për sa kohë veprojnë në territorin gjeografik të Republikës së Shqipërisë duhet ti informojnë klientët në gjuhën shqipe.
5. Në disa raste është vënë re se bankat nuk i njoftojnë klientët kur ndryshojnë kushtet e punës për kontratat e shërbimeve, në mënyrë të veçantë kur rriten komisionet e llogarive rrjedhëse apo kartave të debitit/kreditit, duke mos zbatuar në këtë mënyrë rregulloren Nr. 59, datë 29.08.2008 Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare.
6. Nga krahasimi i tarifave të shërbimeve më bankat e rajonit, brenda të njëjtit Grup Bankar, u konstatua se bankat që operojnë në Shqipëri aplikojnë tarifa më të larta të shërbimeve bankare(si komisioni për mbyllje llogarie rrjedhëse, mirëmbajtje llogarie, kartat plastike) sesa bankat homologe ne rajon, duke vështirësuar përfitimin e këtyre shërbimeve nga klientët dhe mundësinë e ndërrimit të bankës.