E Diel, 1 Nëntor 2026

STUDENTË TË INSTRUMENTALIZUAR APO LËVIZJE E PAVARUR? NJË VËSHTRIM I SHKURTËR MBI DISA TRAJTIME TË LEVIZJES STUDENTORE TË VITEVE 1990-1991 NË 20 VJETORIN E SAJ

Nga Shinasi Rama

NË VEND TË HYRJES

Duhet thënë se për shumë shqiptarë Lëvizja Studentore Shqiptare e viteve 1990-1991 (tash e mbrapa LSSH), është një nga levizjet e spikatura shoqërore të historisë kombëtare. Për pjesëmarrësit, ajo mbetet një faqe e ndritur e jetës së tyre personale dhe një shembull për tu ndjekur nga më të rinjtë. Pavarësisht këndvështrimeve të kundërta (që e shohin atë si një instrument të segmenteve të parisë apo si një Lëvizje të pavarur), të gjithë palët në debat pajtohen se Lëvizja ia arriti të kontribuojë fuqimisht në ndërrimin e sistemit e në shmangjen e Luftës Civile në një moment tejet kritik për shtetin e kombin shqiptar.

Por, interpretimet ndahen kur vjen puna që të gjykohet pavarësia e saj, drejtimi i saj, qartësia e orientimi i saj ideologjik, e mbi të gjitha roli i intelektualëve dhe individëve të vecantë brenda Lëvizjes. Të gjitha këto pika ndarëse u pa qartë se ishin trajtuar në mënyrë konsistente por tërësisht të papajtueshme në tre narrativat e pranishme në shtyp e media. Është e pritshme se me kohë nëse LSSH trajtohet me rigorozitetin e duhur shkencor shumë gjëra do të qartësohen. Megjithatë, pavarësisht interpretimeve të ardhshme, duket se, në këtë pikë, këto tre narrativa do të përcaktojnë edhe trajtimin që do ti rezervohet në histori kësaj Lëvizje. Në përgjithësi, debatet më thelbësore janë të lidhura me rolin e individëve të ndryshëm në Lëvizje e në drejtimin e saj, me rolin e intelektualëve, me vlerat ideologjike të Lëvizjes e objektivat e saj politike si dhe me kontributin e saj në një rrafsh historik e krahasues me lëvizje të ngjashme, ose me vende që kanë qënë në pika kthese të ngjashme me shtetin shqiptar. Prandaj ia vlen që të ndalemi e ti trajtojmë këto probleme me kujdesin që meritojnë.

Pikëpyetjet janë të shumta dhe, si të gjitha lëvizjet që shpërthejnë në skenën politike e që luajnë një rol kritik, edhe LSSH është e rrethuar me shumë hamendësime. Proceset evoluan shpejt e pak fakte janë të filmuara e të dokumentuara dhe mungon konteksti i tyre. Arkivat e kohës duhet të jenë të mbushura por ato janë të paarritshme për ata që janë të interesuar e kështu gjithkush mbështetet në kujtimet e në paterialet që kanë privatisht duke e paraqitur LSSH nga një këndvështrim përvoje personale që shpesh nuk e përfshin të tërën. Nuk mund të pritet që në këtë shkrim të jepet një pamje e plotë e saj, e as të ofrohet një përshkrim i detajuar.

Në këtë shkrim, mbasi paraqes disa nga këndvështrimet kryesore, do të mundohem të hedh dritë mbi disa nga elementet e këtyre interpretimeve që nuk përputhen me të vërtetën historike. Me që shkrimi, smund të përmbledhë e të thotë gjithcka, do të synoj që të analizoj disa nga këto aspekte thelbësore të trajtimit të LSSH. Në mos tjetër, për të shkruar pak më mirë historinë, ia vlen që të fillohet një debat i ngritur në nivel profesional lidhur me Lëvizjen, rolin e vendin e saj në historinë e vonshme shqiptare si dhe me interpretimet e ndryshme.

Duke sjellë edhe disa argumente e fakte që dalin nga filmimet, materialet e shkruara, e dokumentet e kohës do të mundohem që në pika të caktuara të ballafaqoj atë që shihet e dëgjohet me narrativat e caktuara. Po ashtu, duke qënë një nga ata që i dha asaj Lëvizje një frymë e rrugë të caktuar, si dhe duke pasë qënë vendimmarrës në momente kritike, e konsideroj legjitime që të sjell edhe gjykimin e kujtimet e mia për momente lidhur me të cilat nuk ka dëshmi të tjera e njerëzit që kanë qënë të pranishëm, gjithnjë për arsyet e tyre, nuk kanë folur sepse nuk ju ka interesuar ose nuk i kanë trajtuar me rëndësinë që meritojnë, thjesht sepse nuk dinë më shumë. Mirëpo efekti ka qënë gjithnjë i njëjtë. Lëvizja është interpretuar në mënyra jo të drejta dhe jo ashtu si e meriton.

Në pjesën e parë të shkrimit trajtohen tri narrativat sunduese. Në pjesën e dytë diskutohen disa nga pikat më të debatuara ndërmjet narrativave. Në pjesën e tretë e përmbyllëse ofrohet një përmbledhje e argumenteve të paraqitura.

1. TRE PARADIGMA LIDHUR ME INTERPRETIMIN E LEVIZJES STUDENTORE

Si u vu re në shtypin e mediat e Tiranës e më gjerë, gjatë këtij 20 vjetori interesimi për Lëvizjen studentore është ende i gjallë. Përtej dëshmive individuale e interpretimeve të pjesëmarrësve të përmendur më lart duhet theksuar se në përgjithësi ka tre grupime interpretimesh lidhur me Lëvizjen Studentore. Të tre këndvështrimet japin interpretime të papajtueshme e krejtësisht të kundërta lidhur me të gjitha aspektet kryesore të veprimtarisë së asaj Lëvizje. Nevoja për të paraqitur një interpretim koherent e konsistent e sa më afër të vërtetës është më se e prekshme. Kjo përbën një shtysë të fortë për të analizuar e konsideruar me qetësi, si në kohë, ashtu edhe në qëllimet politike e në vetëdijen e atyre që organizuan këto veprime.

Një përpjekje për të krijuar me objektivitet ecurinë e ngjarjes është bërë nga Fred Abrahams i cili këtë vit botoi kapitullin e parë të librit të tij mbi tranzicionin në shtetin shqiptar që përqëndrohet te kjo Lëvizje dhe në rolin e saj. Po ashtu shquhen kujtimet e analizat e disa prej studentëve që kanë qënë aktivë në Lëvizje si Mimoza Ferraj, Arben Sulo, Akli Fundo, Spiro Cura, Agim Parllaku, Latif Hoxha, Mujë Bucpapaj, Alban Tershana, Bardhyl Ukcamaj, Afrim Krasniqi, Edvin Shvarc, Muje Bucpapaj, Ardi Stefa, Blendi Fevziu, Flamur Bucpapaj, Dritan Shakohoxha, Skender Minxhozi, Arian Manahasa, Blendi Gonxhe e shume e shume të tjerë që kanë botuar ose kanë dhënë intervista në shtyp e media.

Duhet thënë se këtë vit tërhoqën vëmendjen edhe intervistat e disa politikanëve e intelektualëve që kanë qënë në role kryesore si vendimmarrës, themelues të PD, disa edhe aktivë ose afër Lëvizjes Studentore, e disa edhe të pranishëm në veprimtaritë e saj për arsye të caktuara. Në vecanti, vlen të përmenden Ramiz Alia, Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Prec Zogaj, Mitro Cela, Skender Gjinushi, Zenel Hoxha, Arben Imami, Edmond Budina, Engjell Gishti, Omer Stringa, Eduard Selami, Arben Mecaj, dhe Besnik Mustafaj. Shumë prej tyre përqëndrohen në veprimtarinë e ditëve të para d.m.th. në Dhjetor 1990. Si pasojë, ata e shohin Lëvizjen si Lëvizje e Dhjetorit që zgjati jo më shumë se 5-6 ditë dhe e lidhin gjithcka ose me intelektualet ose me Partinë Demokratike, kontributi i tyre në analizimin e rolit të asaj Lëvizje meriton vëmendje të vecantë. Duke hedhur dritë mbi procese e me ngjarje që tashmë mund të vërtetohen vetëm me dëshmitarë, kontributi i këtyre individëve në gjykimin e saj është i një rëndësie të dorës së parë dhe nuk mund të kalohet lehtë. Natyrisht, duhet thënë se gjatë këtyre 20 viteve shumë vetë kanë dhënë dëshmi që kundërshtojnë njëra-tjetrën, e natyrisht edhe dëshmitë e vetë pjesëmarrësve kanë qënë të ndryshme në kohë të ndryshme. Prapëseprapë, një tufë dëshmish të reja krijon mundësinë për debat e për të analizuar më me vëmendje disa nga momentet kritike në jetën e asaj Lëvizje Studentore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›