E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembulli i ndëshkimit që vjen nga Fazlliçët

Nga Mero Baze

Dje avokatët e çështjeve penale të Damir Fazlliçit shpërndanë një letër në Tiranë ku thuhej se avokatët londinezë të Fazlliçit (ky njeri ka avokat në çdo vend që shkel), do të nisin një procedurë në Gjykatën e Lartë angleze kundër asaj që avokatët e Fazlliçit në Tiranë e quajnë fushatë denigruese ndaj tij dhe familjes së tij. Komunikata e avokatëve të tij në Tiranë, që u referohej avokatëve të tij në Londër, u shpërnda një ditë pasi prokuroria njoftoi se do të marrë në pyetje pjesëtarë të studios së Argita Berishës dhe vetë Damir Fazlliçin, për shkak të fakteve të reja të hetuara pas nisjes së hetimit për Damir Fazlliçin. E lexova dhe s’kam shumë gjëra për të thënë për Fazlliçin, pasi shihej qartë që teksti ishte shkruar nga avokatja dhe avokati i tij në Tiranë.

Fillimisht dua të them se ndryshe nga Lulzim Basha nuk do të kërkoj procedurë për të mos u hetuar për ato që kam shkruar. Përkundrazi, kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj që prokuroria të hetojë mbi ato çfarë kam shkruar rreth Damir Fazlliçit dhe të na ndihmojë me faktet e reja që zbulon, të cilat me siguri i përngjajnë një ajsbergu nën ujë në raport me ato pak gjëra që unë kam thënë publikisht.

Do të isha i kënaqur që veç prokurorisë shqiptare për Fazlliçin të hetohej dhe në Londër apo dhe Hagë, nëse ka mundësi. Ai personazh i nëntokës ballkanase nuk ka lënë histori të pistë pa futur hundët dhe për këtë shkak angazhimi i sa më shumë institucioneve në hetimin e tij do të ishte një ndihmë e vërtetë për mua dhe gjithë kolegët e mi gazetarë në gjithë Ballkanin, që kanë shkruar për të.

Por dua të merrem veçanërisht me dy paragrafë nga ajo deklaratë që ngjanin si dy pika uji me një intervistë të Argita Berishës para një viti, e cila në të njëjtin stil kërcënonte mediat se do t’ua mbyllte gojën, nëse vazhdonin të aludonin për të si e korruptuar. Deklarata e avokatëve të Fazlliçit në Tiranë e përmbante këtë shantazh ndaj shtypit, duke theksuar se po nisnin një betejë gjyqësore, me qëllim që të më bënin shembull për të tjerët dhe se unë isha tashmë gazetar jashtë kontrollit. Këto vlerësime, të cilat burojnë nga koshienca e një grupi mafioz, janë vizatimi perfekt i arrogancës dhe njëkohësisht habisë që kjo vëllazëri mafioze ka për median që e denoncon. Të çuditur për ata që u prishin qetësinë dhe natyrisht mirënjohës pa kufi për ata që u bëjnë fresk duke u kthyer në avokatë publikë të tyre, kjo racë tashmë po përpiqet të tregojë dhëmbët. Ndaj meje s’kanë lënë gjë pa bërë. Më kanë çuar fadromat të më prishin banesat e prindërve dhe motrave, po tentojnë të bllokojnë biznesin e gazetës, po vënë gjoba dhe gërmojnë në dosjet e bizneseve me një axhendë të ngjeshur hakmarrjeje, që nuk dihet ku e ka fundin. Është tipike ulërima e një mafiozi të plagosur për vdekje që komandon kryeministrin dhe familjen e tij. Por hungërimat e tij nuk më shqetësojnë. Ajo që më shqetëson është se ata duan një shembull për median. Duan një viktimë që t’u tregojnë fatin gjithë gazetarëve që ngrenë zërin kundër tyre. Duan një model ndëshkimi për ata që u prishin qetësinë. Dhe më kanë zgjedhur mua, me bekimin dhe ndihmën direkte të kryeministrit dhe gjithë skuadroneve të Fazlliçit në shtëpi të tij, përfshi vajzën, djalin dhe Lulzimin. Duan mes të tjerash edhe një standard ndëshkimi dhe për këtë kanë nisur ndaj meje një betejë kombëtare dhe ndërkombëtare. Lulzim Basha ka thirrur në zyrë ambasadorin e OSBE në Tiranë dhe, siç e pranoi ai vetë publikisht në një tryezë para dy javësh, i ka premtuar se është gati ta rikthejë planin për dëbimin e OSBE nga Shqipëria, nëse ajo angazhohet në një projekt për disiplinimin e medias. Jo formalisht, ai i është referuar gazetës “TemA” si model i keq i mungesës së disiplinës dhe etikës. Duan doemos që media të vërë mend nga mënyra si po më sulmojnë mua. Qesharakë deri në fund. Dhe mbi të gjitha qesharakë kur kujton që këtë e bëjnë se është mërzitur Damir Fazlliçi. Media shqiptare nuk ka nevojë të mësojë as nga standardi im profesional dhe as nga ndëshkimet e pushtetit ndaj meje. Në mos pastë botues, media shqiptare ka gazetarë kurajozë dhe personalitete që së paku nuk impresionohen nga kjo fushatë shtazarake e një grupi mafioz në panik. Ky grup nuk më bën dot as heroin e tyre dhe as armikun e tyre, pasi unë jam thjesht një nga ata. Përpjekja për të prodhuar modele ndëshkimi është një turp që na vjen nga miqësia familjare e kryeministrit.

Problemi i dytë që desha të theksoj është shqetësimi i avokates dhe avokatit të Fazlliçit në Tiranë që unë jam një gazetar i dalë jashtë kontrollit. Jam i prirur ta marrë si kompliment këtë vlerësim, por jam i shqetësuar nga koncepti i kryeministrit që reflektohet te miqtë e familjes së tij për të mbajtur nën kontroll gazetarët. Koncepti i tij për gazetarë të dalë jashtë kontrollit është i vjetër, dëshpërues dhe mbi të gjitha kërcënues për projektin e tij politik.

Unë po pres që prokuroria të përfundojë hetimet mbi veprimtarinë e Damir Fazlliçit në Tiranë. Deri më sot shkurtimisht mund të them, duke u bazuar në deklaratat e tij, se ai është pronar i një kompanie qipriote, dega e së cilës në Shqipëri ka blerë toka në Porto Romano, në vendin ku do të bëhet një Park Energjitik dhe dega e kësaj kompanie në Zagreb na ka shitur prej vitit 2007 energji elektrike në shumicën e rasteve jo me tender të hapur. Di të them se ky spekulant ka transferuar pará nga Zvicra në llogaritë e tij private në Tiranë dhe ato pará i ka tërhequr studioja “Kola & Malltezi”. Di të them se ky spekulant është i përfshirë dhe në biznesin e armëve në Ballkan dhe është një biznesmen që qëndron me makthe në Sarajevë, ku ka atdheun e tij dhe në Beograd, ku ka Mëmëdheun e tij, pasi në të dy këto kryeqytete është ndaluar disa herë si njeri problematik. Ky njeri ndihet mirë vetëm në Pallatin e Sali Berishës, i cili i ka mundësuar që për tri vite të bëjë një pasuri prej 50 milionë eurosh.

Në fund pashë se Fazlliç zotohej që paratë që do t’i fitonte nga gjyqi me mua, do t’ia falte fondacionit “Fëmijët e Srebrenicës” (Djeca Srebrenice)”. S’di pse dhembshuria e tij për t’u marrë me fondacione fëmijësh, më kujton dikë tjetër në Tiranë, që pas ngjarjes së tmerrshme të Gërdecit, ku dhjetëra fëmijë mbetën pa prindër dhe disa prindër mbetën pa fëmijë, gruaja e kryeministrit shkoi në kampingun e tyre në Durrës dhe iu premtonte internet dhe parukeri. Ata fëmijë nuk e dinë ç’është interneti dhe as ato gra nuk shkojnë më shumë se dy-tri herë në jetë te parukierja, por ato do të ishin të lumtura të shkonin çdo natë pranë fëmijëve të tyre që s’i kanë më dhe ata fëmijë do të ishin të lumtur të loznin çdo natë me prindërit e tyre në vend të internetit. Përgjegjësit e atij krimi janë njerëzit që ndërtuan atë biznes dhe kryeministri që u hapi rrugë nën presionin e lobingut të djalit të tij. Përpjekja për t’u dukur i dhembshur, pas krimit, dhe dorëlëshuar, pas vjedhjes, na kujton gjithmonë se “Djeca Srebrenice” dhe “Djeca Gërdeci” janë i njëjti model. Dovidjenja u Londonu, gospod Fazlliç! Shpresoj se kaq serbisht di dhe familja jote këtu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›