Autoriteti i Konkurrencës, hetim mbi çmimet e naftës
Autoriteti i Konkurrencës i përcjell Parlamentit raportin vjetor mbi punën e këtij institucioni në hetimin e tregjeve dhe konkurrencës së tyre. Raporti vendos theksin në disa tregje, si ai i naftës, të cilin e cilëson si një treg me probleme. Autoriteti prej kohësh ka kryer një hetim për të parë në rast se ka pasur marrëveshje të fshehta dhe në konkluzionet që u dërgohen deputetëve thuhet: “Në përfundim të hetimit të përgjithshëm të realizuar në sektorin e energjisë, pjesa e hidrokarbureve, Sekretariati i Konkurrencës vëren se ka një përqendrim mesatarisht të lartë të tregut të shumicës nga disa operatorë, si dhe integrim vertikal të tyre. Sjellja e çmimeve në këtë treg nuk i përgjigjet sjelljes së çmimeve në tregjet furnizuese ndërkombëtare. Tregu mund të karakterizohet nga një konkurrencë e kufizuar e shkaktuar nga firmat me fuqi të ndjeshme në tregun përkatës”. Raporti thotë më tej se në përfundim të hetimit të zgjedhur në tregun e karburanteve “shprehet sjellja e koordinuar midis ndërmarrjeve me fuqi të ndjeshme në tregun e shitjes me shumicë të produkteve kryesore të karburanteve”. Sipas këtij raporti, çështja është ende në vazhdim dhe do të jepet një vendim në muajin mars. Autoriteti i Konkurrencës i ka sugjeruar Këshillit të Ministrave të ndryshojë edhe vendimin për cilësinë e karburanteve, pasi sipas Autoritetit, ai lë vend për abuzime. Një tjetër hetim ka nisur edhe në tregun e miellit dhe bukës. Autoriteti në raportin e tij informon Parlamentin se ka nisur një hetim dhe përfundimet e tij do të publikohen pak më vonë. Në rast se do të evidentohet shkelje e konkurrencës me çmime më të larta seç duhet për konsumatorin shqiptar, atëherë do të merren masa ndaj kompanive.
Energjia, hiqet taksa doganore prej 2 %
Qeveria dërgoi në Kuvendin projektligjin për heqjen e taksës së importit për energjinë elektrike. Taksa e importit për energjinë elektrike është në masën 2 për qind aktualisht dhe heqja e saj pritet të ndikojë pozitivisht në të ardhurat e KESH-it. Heqja e saj pritet të ketë një impakt prej 5 milionë dollarësh, duke iu referuar shifrës së importit të energjisë që është bërë gjatë vitit 2008. Arsyeja e heqjes së kësaj takse ka qenë miratimi i një traktati të përbashkët për energjinë mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së. Ky traktat ka si qëllim krijimin e një hapësire të vetme apo të një tregu të përbashkët, fleksibël, rregullues dhe të qëndrueshëm, që të gjitha palët të kenë akses në furnizimin me energji elektrike, si dhe krijimin e kushteve lehtësuese në sektorin e energjisë. Heqja e kësaj takse është edhe një nga kushtet e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.