PD, koalicion gjithëpërfshirës, por me kontribute reale
PD-ja kërkon të përfshijë të gjitha partitë e qendrës së djathtë në koalicionin e ri zgjedhor, por prej aleatëve ajo kërkon kontribut real të gjithsecilit. Me secilin prej tyre, demokratët do të nënshkruajnë marrëveshjet e bashkëpunimit ku palët do konkurrojnë nën siglat e tyre, ndërkohë që votat e 28 qershorit do të mblidhen si koalicion i përbashkët. Por për të arritur një qeverisje të qëndrueshme pas 28 qershorit, PD-ja synon aleancë me aleatë të cilët mund të marrin një numër të konsiderueshëm deputetësh. Pritet të mblidhen forumet e larta të PD-së për të përcaktuar në mënyrë të qartë formulën e re të krijimit të koalicionit të djathtë për zgjedhjet e 28 qershorit. Por brenda grupit të PD-së ka mendime të ndryshme se si duhet proceduar me aleancën e re zgjedhore. Deputeti i PD-së, Preç Zogaj, mendon se kontributi më i madh që një parti aleate e PD-së jep në zgjedhjet e 28 qershorit është që të vijë në koalicion me deputetët e zgjedhur nën siglën e vet. Zogaj dje vuri në dukje se "gjithsesi, diskutimi se si do ta ndërtojë PD-ja koalicionin për zgjedhje do të bëhet në strukturat e partisë". Sipas tij, krijimi i koalicionit zgjedhor është një vendim i një rëndësie të veçantë që do të merret me seriozitetin e nevojshëm nga strukturat drejtuese të PD-së. I pyetur nëse është një risk për PD-në që të lirojë vende për aleatët, z. Zogaj u shpreh: "Ky lloj koalicioni është teknikisht i pamundur, sepse të lirosh vende do të thotë 'de facto' shkrije partish". "Duke rezervuar të drejtën që mendimet e mia për koalicionin t'i them në një forum të partisë, në parim them se tjetër gjë është respektimi i aleatëve dhe një gjë tjetër është nevoja që ka PD-ja për parti aleate që fitojnë deputetë. Ky është problem i madh, pasi e majta ka dy parti që të gjitha sondazhet tregojnë se hyjnë në Parlament, ndoshta edhe 3 parti", - tha z. Zogaj. Në këtë drejtim, ai u shpreh: "Strategjia e koalicionit të drejtuar nga PD-ja duhet të jetë që të përgjigjet në të njëjtën mënyrë". Zogaj pohoi më tej se koalicioni që do të krijohet nga PD-ja, duhet të ketë në përbërje të tij të paktën 1 ose 2 parti aleate që me forcën dhe me siglën e tyre marrin deputetë. Kjo, sipas tij: “Është beteja, ndaj them se respekti për aleatët është njëra anë, por nxitja e aleatëve që të marrin deputetët e vet është shumë e rëndësishme”, - tha deputeti i zonës së Lezhës, z. Preç Zogaj. Në këtë mënyrë e djathta ka nisur taktikat e para elektorale për favorizimin e partive të vogla nga listat e kandidateve për deputet. Z. Zogaj e sheh si të pakuptimtë edhe lëvizjen e aleancistit Neritan Ceka. Vetë Zogaj e interpreton si një shkrirje të saj me Partinë Demokratike. Por ai thotë se PD-ja nuk ka aspak nevojë për të tilla aleanca dhe manovra politike për garantimin e një mandati të dytë qeverisës.