Bogdani: Ndërtimet në Jalë i prishi qeveria
PD-ja bëri sërish dje të ditur se qeveria shqiptare nuk ka deklaruar kurrë se Banka Botërore ka urdhëruar prishjen e ndërtimeve pa leje në Jalë". Në reagim të deklaratës së kryesocialistit Edi Rama, zëdhënësi demokrat, Gerti Bogdani, pohoi: “PD-ja i thotë z. Edi Rama se mund të korruptosh ndonjë vizitor që të mësyn ty për të mbushur xhepat e vet me paratë që u vjedh taksapaguesve, por nuk do të mundesh asnjëherë të shndërrosh Jalën si Tiranën, në çifligun tënd dhe të Shalsave të tu”. Duke hedhur poshtë “shpifjet dhe trillimet” e kryetarit të PS-së, z. Bogdani nënvizoi: “Qeveria shqiptare ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se BB-ja jo vetëm ka pranuar politikat e prishjes së ndërtimeve pa leje, por ka kërkuar gjithashtu që me paratë e projektit të bëhet fotografimi i zonës së bregut për të konstatuar ndërtimet e paligjshme dhe këto foto t’i dorëzohen institucioneve përkatëse”. “Prishja e ndërtimeve të paligjshme, - vijoi ai, - është një zbatim konstant i ligjit të vendit në të gjitha zonat turistike. Me shpifjet dhe trillimet e tua, me tymnajat që lëshon, mendon të zhurmosh mbajtjen peng të planit urbanistik të Tiranës për llogari të Koçove dhe Edileve të tu, duke ndëshkuar kështu mbarë qytetarët e Tiranës”, - tha z. Bogdani.