Parimi "Një anëtar, një votë", PD shkeli premtimin
Në zgjedhjet e 2005-ës, përmes një memorandumi, PD-ja u angazhua për zgjedhjen e strukturave sipas parimit, "Një anëtar, një votë"
TIRANË- Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, Partia Demokratike ishte e fundit parti që u angazhua se, në zgjedhjet e ardhshme, qoftë në nivel qendror, ashtu edhe lokal, do të zbatonte parimin "Një anëtar, një votë".
Por sërish ajo mbetet e fundit parti, që nuk e zbatoi, edhe pse për këtë lëvizje, ajo firmosi një memorandum me Institutin Demokratik Amerikan. Katër vite më pas, pikërisht këtë vit zgjedhor, ku PD-ja është përfshirë në zgjedhjet e brendshme të partisë, lidershipi i lartë i kësaj partie, ka injoruar plotësisht zbatimin e këtij parimi, duke përjashtuar përfundimisht anëtarësinë nga vendimmarrja.
Zyrtarë të lartë të kësaj partie, nuk japin një përgjigje të saktë se pse nuk u zbatua, përveç pamundësisë, sipas tyre, për të përgatitur strukturat e partisë. Edhe kësaj here, si katër vite më parë, Kryetari i Partisë Demokratike do të zgjidhet me votat e delegatëve, duke shënuar të vetmen parti të qendrës së djathtë në Europë, që nuk praktikon zgjedhjen e kryetarit përmes parimit "Një anëtar, një votë".
Mungesa e zbatimit të këtij parimi ka bërë që anëtarësia e partisë, të mos ketë asnjë rol në zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, për kryetarë lokalë apo kryetarë degësh. Përjashtimi i anëtarësisë nga zgjedhjet e forumeve të larta të partisë, ka bërë që kryetari i partisë dhe lidershipi i saj, të mbajnë për vete monopolin e zgjedhjes dhe emërimit të kandidatëve në rrethe.
Madje, për mungesën e zbatimit të këtij parimi, pak mund të flasin edhe deputetët. I vetmi që ka folur publikisht për këtë fenomen, ka qenë kandidati për PD-në e Tiranës, Besnik Mustafaj. Ky i fundit, në një intervistë për "Shekulli"-n të pak kohëve më parë, u shpreh çuditshëm se pse nuk u plotësua angazhimi i marrë në vitin 2005, dhe pse për këtë çështje nuk është folur në asnjë prej mbledhjeve të kryesisë së PD-së. "
Ne sot jemi e vetmja parti e qendrës së djathtë europiane, që nuk i zgjedh drejtuesit e vet qendrorë me votat e të gjithë anëtarëve, çka tregon se demokracia në partinë tonë, është ende shumë larg standardit që zotëron në familjen politike europiane, ku ne bëjmë pjesë.
Shumica e partive politike kanë injoruar angazhimet e marra në memorandum dhe, praktikisht, parimi "Një anëtar, një votë", në procesin e hartimit të listave proporcionale për deputet, nuk po aplikohet nga partitë",- u shpreh Mustafaj pak kohë më parë.