E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PS dhe LSI degradojnë në akuza personale



Në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve të qershorit, të majtët shtojnë dozën e sulmeve ndaj njëri-tjetrit, duke u dhënë atyre karakter personal. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, reagoi ashpër dje ndaj blerjes së anëtarëve të kësaj partie nga ana e Ramës, të cilin e quajti hipokrit dhe pervers. Por përplasja tjetër mes dy partive njeh emrat Meta-Dokle ku njëri i kujtoi tragjedinë e 9 janarit, kurse ky i fundit guroret e vdekjes. Në vazhdën e takimeve në qytetin e Shkodrës, kreu i LSI-së, Ilir Meta, vijoi akuzat në adresë të PS-së. Por këtë herë objekt i tyre ishte kryetari i kësaj partie, Edi Rama. Më i ashpër se kurrë më parë, Meta akuzoi Ramën se po tenton të blejë LSI-në me 15 milionë euro dhe me lejet e ndërtimit. Por më tej, Meta vlerësoi se Rama është një hipokrit dhe pervers. “Është ky hipokrit i pashembullt që në vend të kërkojë falje për firmat që ka hedhur daja i tij, anëtari i Byrosë Politike, dhe babai i tij anëtari i Komitetit Qendror dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor për ekzekutimin e shumë artistëve e shumë shqiptarëve, bën si i persekutuar nga regjimi komunist”, - tha Meta. Ai shtoi se bën sikur i qan zemra për të majtën, ndërkohë që e ka përçarë atë. “Bën sikur qan kur takon veteranët, por që nuk u ka kërkuar falje akoma, që në librin e tij “Refleksione”, e cilëson LANÇ-in si luftë civile dhe kërkonte nxjerrjen jashtë ligjit të PS-së”, - shtoi Meta. “Ky është Edi Rama, një hakmarrës, një pervers, një njeri që nuk ka asnjë lloj integriteti, një njeri i cili ka përçarë partinë e tij, një njeri i cili nuk ka asnjë respekt për traditat tona kombëtare, një njeri i cili urren rrugën më të rëndësishme që do të lidhë shqiptarët vetëm për një arsye, se ai nuk ka asnjë lloj kontributi në atë vepër të rëndësishme”, - nënvizoi kreu i LSI-së. “Ajo rrugë është shpresë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, ndaj dua të mos merrem shumë me të, se ai nuk ka asnjë lloj stature për të marrë kohën tonë, po meqenëse ka kapur dhe ka blerë shumë nga televizionet që manipulojnë opinionin publik, unë e ftoj që t’i thotë zëdhënëses së tij në bashki që ajo t’i thotë burrit të saj që të dalim në një debat televiziv dhe të marrë kë të dojë me vete. Që të gjithë shqiptarët të kuptojnë se kush e ka përçarë dhe e do të përçarë të majtën për të hir të një pushteti të korruptuar”, - tha Meta.

Meta-Dokle, konflikti i ri brenda së majtës

Mes Namik Dokles, një prej figurave me rëndësi në PS, dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, u shkëmbyen dje replika të ashpra që shkonin përtej natyrës politike. Meta i kërkoi Dokles që të largohej nga politika si një prej përgjegjësve të tragjedisë së 9 janarit të 2004-s, ndërsa Dokle shprehu habinë për sjelljen e LSI-së kundrejt PS-së, duke u shprehur: “Nuk e kuptoj se nga buron gjithë ai mllef, ku gatuhet gjithë ajo baltë, në ç’gurore nxirren gjithë ata gurë për të gjuajtur mbi PS-në”. Pas kësaj deklarate të Dokles, vizita tek greva e disa familjarëve të viktimave të 9 janarit, për Metën ishte momenti dhe situata e duhur për të sulmuar Doklen për një ngjarje të rëndë që e lidh qeverinë e asaj kohe me përgjegjësi të madhe. Me tone të ashpra dhe drejtpërsëdrejti, Meta shprehu keqardhje për z. Dokle që në vend të shkojë të vizitojë të ngujuarit, shprehet në media se politika e re do të fitojë më 28 qershor. “Sot nëpërmjet medias jam informuar që Kryeministri i asaj nate, z. Dokle, se tjetri nuk ishte në Shqipëri, fliste për fitoren e politikës së re më 28 qershor dhe nuk vjen këtu për t’ju vizituar ju. Ndaj unë do t’i them atij: ‘Si nuk vjen turp që nuk ke ardhur t’i takosh këta njerëz se po bëhen 6 vjet që ka ndodhur kjo tragjedi, që nuk i ke ardhur për ngushëllim këtyre njerëzve’”, - u shpreh Meta. Sipas tij, z. Dokle që nuk bëri asgjë atë natë kur e mori vesh e gjithë Shqipëria që gomonet ishin në det, “por edhe sot, pas gjashtë vjetësh, nuk ke kurajën që të takosh dhe të bëhet zbardhja e kësaj tragjedie”. “Politika e re, - tha Meta, - nuk është që të vrasësh njerëz apo edhe t’i futësh ata në grevë urie vetëm se kërkojnë drejtësi. Por jo vetëm kaq, - theksoi Meta, - por do të themi ik dhe ti Namik, sepse shqiptarët nuk kanë nevojë për Namik-politikë, sepse politikë e re nuk mund të jetë kjo që t’i lëmë njerëzit të vdesin sepse kërkojnë vetëm zbatimin e ligjit. Ndaj këta njerëz duhet të kenë moral që të ikin nga politika në mënyrë vullnetare, sepse nëse nuk e kanë këtë moral, do i heqin shqiptarët me votë demokratike më 28 qershor”, - nënvizoi Meta. Ndërsa Dokle nga ana e tij, duke marrë pozitat e një politikani të vjetër e me eksperiencë, vërejti se Meta ka ambicie të verbra dhe me ambicie të tilla nuk mund shtojën elektoratin e një partie. “Me megalomani politike nuk rritet numri i mandateve. Nuk do të jetë aspak në të mirë të kësaj force politike, nëse ajo do të vazhdojë në këtë rrugë dhe do të kapërcejë Rubikonin”, - tha Dokle. Përplasjet e deritanishme mes dy partive të majta ishin kryesisht mes Metës dhe Ramës, por me afrimin e zgjedhjeve sulmet përfshijnë edhe figura të ndryshme të dy partive.

Rama: Qeveria, në konflikt me ndërkombëtarët

Kryetari i PS-së, Edi Rama, akuzoi dje qeverinë se po vijon të krijojë konflikt me institucione ndërkombëtare, si FMN-ja apo Banka Botërore. “Kam ndjekur me shumë vëmendje e shqetësim përshkallëzimin e keqësimit të marrëdhënies së qeverisë shqiptare me Bankën Botërore. Kundërvënia ndaj këtij institucioni ndërkombëtar të rëndësishëm ndodh pak kohë pas qëndrimit arrogant të qeverisë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, që kulmoi me refuzimin e njëanshëm të zgjatjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me këtë institucion, pikërisht në momentin kur kriza ekonomike globale është ulur këmbëkryq edhe në ekonominë shqiptare”, - tha Rama. Sipas tij, kundërvënia ndaj Bankës Botërore ndodh kur janë ende të freskëta pretendimet e qeverisë për rritjen ekonomike të vitit 2008 e 2009.

Apostoli lë LSI-në dhe krijon ADS-në

Gaqo Apostoli, një prej ish-drejtuesve të PSD-së së Gjinushit krijon parti të re politike të quajtur Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet. Sipas themeluesit të saj, Gaqo Apostoli, ADS-ja do të jetë një parti e qendrës së majtë dhe se është shpejt të flitet për aleancat që kjo parti do të zhvillojë për zgjedhjet e qershorit. Në këtë mënyrë në prag të këtyre zgjedhjeve, Apostoli lë edhe lëvizjen Socialiste për Integrim, së cilës iu bashkua dy vjet më parë duke i marrë Gjinushit edhe 500 anëtarë. Në atë kohë Apostoli e konsideroi një lëvizje politike, por aderimi brenda strukturave të partisë së Metës e la në hije këtë lëvizje. Në prag të këtyre zgjedhjeve, Apostoli ka vendosur të rifreskojë lëvizjen e atëhershme dhe të vendosë së më cilin koalicion të bashkëpunojë në zgjedhjet e ardhshme. Gjasat janë për të hyrë në tratativa me LSI-në, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë, se sa dy kryetarët do të bien dakord me njëri-tjetrin.

LSI, takim me grevistët tetraplegjikë

Drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim vizituan 20 invalidët që prej dy ditësh janë futur në grevë urie. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, i shoqëruar nga nënkryetarja Filloreta Kodra dhe deputeti Ndre Legisi u solidarizuan duke vizituar grevistët në ambientet ku zhvillohet greva e urisë. Në bisedën e zhvilluar, 20 invalidë para dhe tetraplegjikë i bënë një pasqyrim të gjithë situatës të vështirë që kjo kategori po kalon, si rezultat e së cilës ata ndërmorën këtë vendim ekstrem. Duke u shprehur mbështetje për realizimin e kërkesave të tyre, përfaqësuesit e LSI-së u angazhuan se do të përkrahin këtë kategori shoqërore, e cila ka ndërmarrë këtë vendim ekstrem dhe tepër të vështirë për t’u përballuar nga kjo kategori. Gjatë bashkëbisedimit me anëtarët e grevës, zv.kryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, u shpreh: “Kjo qeveri ka bërë demagogji me këtë kategori shoqërie e cila edhe pse i ka premtuar shumë gjëra për t’i zgjidhur, me mungesën e vëmendjes së treguar prej saj, sot kjo kategori ndodhet në këtë situatë tepër të vështirë”. Xhufi nga ana e tij, i bëri apel qeverisë e cila me buxhetin rezervë që disponon duhet të ndërhyjë sa më shpejt që të plotësojë kërkesat e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›