Tatimet: 5 mln dollarë gjoba për mospajisjen me kasa fiskale
Janë 5 mln dollarë gjoba të aplikuara, deri më tani, ndaj bizneseve të cilët i kanë rezistuar pajisjes me kasa fiskale. Por burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve theksojnë me këmbëngulje se, procesi i fiskalizimit nuk ka hapa mbrapa, por do të vazhdojë deri në pajisjen me kasa fiskale edhe të biznesit të fundit. Sipas tatimeve, deri më tani janë pajisur 60% e bizneseve me kasa fiskale, pra nga 80 mijë të tillë, janë pajisur 45 mijë biznese. Ndërkaq, burimet nga tatimet bëjnë me dije se monitorimi nga administrata tatimore, te bizneset në vend, po vazhdon çdo ditë. Gjobat e aplikuara ndaj atyre që i rezistojnë ligjit dhe procesit të rëndësishëm të fiskalizimit, citojnë burimet, variojnë nga 100 000, 500 000 deri në mbyllje të aktivitetit. Tatimet shpjegojnë se jo të gjitha bizneset kanë detyrim të pajisen me kasa fiskale. Ata biznese që kanë detyrim të fiskalizohen janë ata që shesin shërbime në kesh, me lekë në dorë, në mënyrë që të vërtetojnë qarkullimin e parave. Ndërsa bizneset e tjera si bankat, nuk duhet të kenë kasë.